Ishte një ditë vere e shndritshme në Antarktidë. Përmes qerpikëve të ngrirë, Samanta Hansen nisi të vëzhgonte peizazhin e vdekur që nderej përpara:një mur me ngjyrë të bardhë, ku pjesa lart ishte njëlloj si poshtë. Në mesin e këtyre kushteve ekstreme, me temperatura rreth -62C, ajo identifikoi një vend të përshtatshëm në dëborë dhe nxori një lopatë nga çanta.
Hansen ndodhej në brendësinë e zymtë të kontinentit. Jo të Antarktidës relativisht të butë dhe piktoreske të tureve me anije turistike. Por në një mjedis të egër që rrallëherë frekuentohet edhe nga kafshët e egra. Si pjesë e një ekipi nga Universiteti i Alabamës dhe Universiteti Shtetëror i Arizonës, ajo ishte në kërkim të vargmaleve të fshehura, pra të majave që nuk janë pushtuar nga asnjë eksplorues më parë, dhe që nuk janë ndriçuar ndonjëherë nga rrezet e Diellit.
Këto male ndodhen në thellësi të Tokës. Ishte viti 2015, dhe studiuesit ndodheshin në Antarktidë për të ngritur një stacion sizmologjik. Pajisjet gjysmë të varrosura nën dëborë, do t’i jepnin mundësi studiuesve të studionin brendësinë e planetit tonë. Në total, ekipi instaloi 15 pajisje të tilla në të gjithë Antarktidën.
Dhe strukturat e ngjashme me malet që zbuluan janë tërësisht misterioze. Por ekipi i Hansen zbuloi se këto zona me shpejtësi ultra të ulët ose ULVZ, ka të ngjarë të jenë pothuajse kudo në botë. Pra ato mund të fshihen shumë thellë brenda tokës, madje edhe poshtë këmbëve tuaja.
Malet e brendshme të Tokës, janë të pozicionuara midis bërthamës metalike të planetit dhe mantelit shkëmbor përreth. Edhe pse “kufiri bërthamë-mantel”, është mijëra kilometra nga sipërfaqja e Tokës, ekziston një sasi befasuese e shkëmbimit midis thellësive të saj të padepërtueshme dhe botës sonë këtu sipër.
Mendohet se ai është një lloj varreze për pjesët e lashta të dyshemesë së oqeanit. Madje mund të shpjegojë ekzistencën e vullkaneve në vende të papritura, si Hauai, duke krijuar “autostrada” super të nxehta në koren e Tokës.
Historia e maleve në thellësi të Tokës u shfaq për herë të parë në vitin 1996 , kur shkencëtarët eksploruan kufirin bërthamë-mantel shumë poshtë Oqeanit Paqësor qendror. Ata e bënë këtë nëpërmjet studimit të valëve sizmike të shkaktuara nga dridhjet e forta të tokës, që janë zakonisht tërmetet, edhe pse bombat bërthamore mund të shkaktojnë të njëjtin efekt.
Këto valë kalojnë në Tokë dhe mund të kapen nga stacionet sizmike në vende të tjera në sipërfaqen e saj, ndonjëherë edhe më shumë se 12.742 km larg nga ku filluan. Duke ekzaminuar shtigjet ku kalojnë këto valë – si për shembull mënyra se si ato përthyhen nga materiale të ndryshme – shkencëtarët mund të ndërtojnë një panoramë të brendshme të planetit tonë.
Kur studiuesit analizuan valët e krijuara nga 25 tërmete, ata zbuluan se ato u ngadalësuan në mënyrë të pashpjegueshme kur arritën tek një pjesë e dhëmbëzuar në kufirin bërthamë-mantel. Ky vargmal i madh brenda planetit tonë, ishte shumë i ndryshëm nga malet mbi sipërfaqe.
Kështu disa maja shtriheshin deri në 40 km lartësi deri në mantel, ose 4.5 herë më të larta sesa Everesti. Ndërkohë, të tjerët ishin vetëm 3 km të lartë. Që nga ajo kohë, male të ngjashme janë zbuluar në vende të tjera të shpërndara rreth bërthamës.
Disa janë veçanërisht të mëdhej. Kështu njëri prej tyre zë një sipërfaqe 910 km nën ishujt Hauai. Megjithatë deri më sot, askush nuk e di se si mbërritën atje, apo nga çfarë janë formuar. Një nga hipotezat, është se këto male janë pjesë të mantelit të poshtëm, të cilat janë mbinxehur për shkak të afërsisë së tyre me bërthamën inkandeshente të Tokës.
Ndërsa manteli mund të arrijë temperaturën 3.700 gradë Celcus, dhe është relativisht i butë, bërthama mund të arrijë lartësitë e shpërbërjes së atomit, 5.500 gradë Celcius, jo shumë larg temperaturës në sipërfaqen e Diellit.
Mendohet se pjesët më të nxehta të kufirit bërthamë-mantel, mund të shkrihen pjesërisht, dhe kjo është ajo që gjeologët e shohin si ULVZ. Malet në thellësi të Tokës mund të përbëhen nga një material paksa i ndryshëm nga manteli përreth. Mendohet se ato mund të jenë mbetjet e kores së lashtë oqeanike, e cila u zhduk në thellësitë e saj, dhe më pas u fundos gjatë qindra miliona viteve për t’u vendosur pak mbi bërthamën e Tokës.
Gjeologët kanë kërkuar në të kaluarën të dhëna për të zgjidhur një enigmë të dytë. Malet në thellësi të Tokës priren të gjenden pranë strukturave të tjera misterioze: njollave ose zonave të mëdha me shpejtësi të ulët prerjeje (LLSVP). Të tilla janë vetëm 2:një gungë amorfe e quajtur “Tuzo” nën Afrikë, dhe një tjetër e njohur si “Jason” nën Paqësor.
Mendohet se ato janë vërtet të lashta, ndoshta miliarda vjet të vjetra. Por sërish, askush nuk e di se çfarë janë apo si arritën atje. Por afërsia e tyre me malet, ka çuar në tezën se ato kanë lidhje midis tyre. Një nga mënyrat për të shpjeguar këtë lidhje, është se gjithçka filloi me pllakat tektonike që nisën të rrëshqisnin poshtë nën mantelin e Tokës dhe të zhyteshin në kufirin bërthamë-mantel.
Më pas, u përhapën ngadalë për të formuar një shumëllojshmëri strukturash, duke lënë një gjurmë malesh dhe blloqesh. Kjo do të thotë që të dyja janë bërë nga korja e lashtë oqeanike: një kombinim i shkëmbinjve bazaltikë dhe i sedimenteve nga fundi i oqeanit, edhe pse të transformuar nga nxehtësia dhe presioni shumë i madh.
Por Hansen thotë se ekzistenca e maleve të nëndheshme poshtë Antarktidës mund ta kundërshtojë këtë tezë. “Shumica e rajonit tonë të studimit, Hemisfera Jugore, është shumë larg nga ato struktura më të mëdha”. Për të ngritur stacionet e tyre të sizmologjisë në Antarktidë, Hansen dhe ekipi i saj fluturuan në vende të përshtatshme me helikopterë dhe avionët të vegjël, duke i vendosur pajisjet në thellësi të dëborës, disa pranë bregut dhe të tjerë në brendësi.
U deshën vetëm disa ditë për të marrë rezultatet e para. Instrumentet zbuluan lëkundje sizmike gati kudo në planet. Në disa rajone, strukturat ULVZ janë më shumë si pllaja të holla sesa male. A mundet që mbetjet më të vogla, me përmasa malore, të pllakave tektonike të jenë shpërndarë kaq larg nga mbetjet më të mëdha? Çfarëdo që të zbulojmë, peizazhi i acartë i Antarktidës na ka dhënë të dhëna për malet e çuditshme dhe super të nxehta të thellësive të Tokës. / bota.al