Kodi i Punës ndalon ngacmimet seksuale në vendin e punës. Shqetësim seksual është çdo formë e padëshiruar sjelljeje, e shprehur me fjalë ose veprime fizike e simbolike, me natyrë seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues ose fyes, që kryhet nga punëdhënësi kundrejt një punëmarrësi, një punëkërkuesi për punë ose midis punëmarrësve.
Në “Jetë Shqiptare” për të folur për këtë temë ishin të ftuar poeti Albi Lushi, Silvana Bushati dhe Xhuliano Kukeli.
Poeti Albi Lushi tha se ngacmimet ne vendin e punës janë te shumta dhe këto sjellje reflektohen edhe në performancën e punës dhe deri në largimin prej saj. Gjithashtu poeti tha se jo më kot ekziston një kod veshjeje që duhet të respektohet në punë.
“Ka shumë tipe ngacmimesh dhe kjo duhet ndarë, ngacmimet në vendin e punës janë të shumta. Nuk besoj se ka ngacmime seksuale 48% sepse është një shifër e madhe. Jo çdo fjalë e hedhur mund të jetë ngacmim seksual kjo varet nga konteksti. Ka shumë hipoteza që mund të ngremë në lidhje me këtë. Ka pafund raste të ngacmimeve seksuale të të gjitha formave. Jashtë kësaj që po flasim janë dhe meshkujt konservator që nuk i lënë gratë e tyre për këtë arsye. Nuk mund të shkosh në punë kur e di se eprori të ngacmon seksualisht. Kur një punonjëse afrohet nëpërmjet veshjes mund të quhet provokim dhe për këtë arsye ka dhe një kod veshjeje”, tha Albi Lushi.
Ndërsa Silvana Bushati tha se është mirë që disa fjalë më tepër të thëna në vendin e punës të tolerohen.
“Nuk më ka ndodhur të punoj tek të tjerët, por ne jemi evropian dhe duhet toleruar një fjale me tepër e thënë. Në një vend pune asgjë nuk ndodh me zorr. Vajzat afrohen vet dhe nëse i afrohet në mënyrë për ta ngacmuar ajo do të ndodhi duke dhënë sinjale”, tha Silvana Bushati.
Xhuljano Kukeli tha se edhe pse është mashkull edhe atë e kanë ngacmuar femrat në vendin e punës.
“48% është shifër e lartë por ka ngacmime në punë sepse edhe komplimentet mund të merren për të tilla. Me kane ngacmuar ne vendin e punës”, tha Xhuljano Kukeli.