Ditët e fundit ka qenë në fokus të diskutimeve në televizion, komisione me gjasë edhe në bisedat e përditshme propozimi i Erion Braçes.
Çfarë propozoi Braçe?
1. Pushim të paguar për gratë në ditët e para të ciklit
2. Paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Si e argumentoi Braçe?
“A ka mundësi që grave dhe vajzave t`u njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundje dhe e paguar? Raport i paguar nga buxheti i shtetit, pasi po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë që nuk kushton shumë, që duhet kalkuluar të përfshihet në iniciativat e ministrisë së Shëndetësisë”. (Reagimet e Braçes i gjen edhe me video në fund)
Ndërkohë që ky është një propozim që u shërben vajzave dhe grave të kenë një siklet më pak në ditët e vështira, nuk duket se është pritur kështu nga kushdo.
Përveç diskutimeve në Komision, edhe disa gazetarë dhe mjeke kanë dalë kundër propozimit.
Çfarë thanë mjeket gjinekologe?
Enriketa Kroi tha: “Cikli menstrual nuk është sëmundje. Në një pjesë të femrave, sidomos te vajzat e reja dhe të cilat nuk kanë kryer lindje, shpesh është i dhimbshëm. Por edhe nga ky grup, pjesa dominuese e tyre trajtohet me qetësues dhe me medikamente. Aktualisht kjo dhimbje është vetëm ditën e parë të ciklit. Rastet kur cikli sjell marrje mendsh, të fikët apo dhimbje të forta barku dhe shpine dhe luhatje tensioni janë shumë rralla. Së dyti, cikli menstrual nuk është gjithnjë i rregullt. Me filozofinë e sëmundjes, do duhej të merrnin leje edhe femrat të cilat kanë dhimbje koke kronike si migrena etj, që shpesh vjen 2-3 ditë para ciklit menstrual. Ka shumë gjera të tjera për të rregulluar përgjithësisht sistemi”.
Mimoza Keta tha: “Kjo është një situatë normale e jetës. Është periudha riprodhuese e jetës së një gruaje. Një pjesë e vogël e grave dhe vajzave e ndjejnë dhe e kalojnë këtë periudhë me dhimbje në fund te barkut, ndonjëherë me gjendje hipotermie, gjendje të fikti, ndonjëherë me të vjella por zakonisht sot në të gjitha tregjet e botës dhe në tregun farmaceutik shqiptar ka medikamente të cilat lehtësojnë këtë situatë dhe bëjnë që periudha e menstruacioneve të kalojë më se normale. Pra kjo nuk konsiderohet sëmundje por një gjë normale”.
Po sa vuajnë vajzat dhe gratë në ditët e para të gjakderdhjes?
1 në 10 gra përjetojnë dhimbje të forta gjatë ciklit menstrual (periudhës së gjakderdhjes) dhe jo nuk janë normale. Këto dhimbje mund të lidhen me një sëmundje të shëndetit riprodhues të quajtur Endometriozë.
Endometrioza është një patologji gjinekologjike, ku endometriumi (shtresa e brendshme e mitrës, e cila zëvëndësohet çdo muaj me ciklin menstrual) fillon të rritet jashtë mitrës. Shkaku i këtij çrregullimi ende nuk është i qartë, ndonëse janë zhvilluar shumë teori të ndryshme rreth tij, e lidhur kjo edhe me faktin se janë shumë mekanizma të përfshira në këtë patologji.
Më së shpeshti, endometrioza rritet zakonisht në vezore, por mund të prekë edhe zona të tjera siç është zorra apo indet pelvike (pjesa e poshtme e barkut).
Braçe iu përgjigj mjekeve
“Po dëgjoj më shumë vëmendje dhe respekt opinion e mjekëve janë thuajse gjitha zonja ato që kanë folur për propozimet e mia për vajzat dhe gratë. Skam thënë kurrë që cikli menstrual te gratë dhe vajzat është vdekjeprurës, se kam thënë. Ai që ka qenë shqetësimi im ka të bëjë me gjendjen shëndetësore, sociale pikërisht gjatë kësaj periudhe te gratë dhe vajzat”, thotë Braçe.
“Kam një pyetje për të gjitha doktoreshat që kanë folur këto ditë. A mundet që një vajze 17, 18, 19, 20, 21, 25 vjeç apo më shumë, në ditën akute të ciklit të rrijë 8, 9, 10 orë ulur në një fasoneri, mbi një makine qepëse tekstilesh, këpucësh, çantash etj? Si thoni rri? Po një vajzë e vogël, 16 apo 17 vjeç, a mundet të rrijë 5 apo 6 orë ulur në bankën e shkollës, të mbajë shënime, e të përgjigjet për procesin mësimor. A mundet që një grua tjetër të rrijë 6,7, 8 orë të ulur në sportelin e një banke për të shërbyer tamam në atë moment”, shprehet Braçe.
“Pushim i paguar për gratë” – Shqipëria nuk do të ishte i vetmi vend me një ligj të tillë
Që nga shkurti i këtij viti gratë spanjolle marrin pushim të paguar në ditët e ciklit.
Shtete të tjera që e kanë këtë ligj janë:
Japonia, Indonezia, Koreja e Jugut, Tajvani, Vietnami, Zambia dhe Skocia./Tiranapost