Nëse keni një rast festë në familje, as mos e mendoni për të ndezur fishekzjarrë, pasi në të kundërtën do të gjobiten. Ky është një nga rregullat që ka vendosur qeveria shqiptare, me qëllimin për të eliminuar zhurmat. Nga ana tjetër, në rast se një gjë e tillë bëhet nga një biznes, atëherë jo vetëm do të gjobitet, por rrezikon që t’i mbyllet aktiviteti.
“Meqë jemi duke iu afruar sezonit të festave të fundvitit, për të shmangur incidente me pasoja për jetën e qytetarëve dhe të fëmijëve, në rrafshin organizativ, sa i përket fishekzjarrëve, i kam kërkuar dhe dua të bëj publik faktin që Policia e Shtetit, duhet të kryejë menjëherë inspektime të shtuara për identifikimin e rasteve të përdorimit të paligjshëm të artikujve piroteknikë nga qytetarët. Ligji është shumë i qartë, ligji ka përcaktuar një afat vetëm 15-ditor për tregtimin e pjesës më të madhe të fishekzjarrëve, të materialeve piroteknike, vetëm nga 15 dhjetori deri në 1 janar.
Dhe po ligji thotë që lejohet përdorimi i tyre nga data 27 dhjetor deri në 1 janar”, tha Taulant Balla.
Me synimin për të eleminuar zhurmat, u nënshkrua një udhëzim i përbashkët që përcaktohen nivelet kufi të lejuara të zhurmës në mjedise të ndryshme, të brendshme apo të jashtme./Hej.al