Ulja e temperaturave ka sjellë dëborën e parë në disa qarqe. Fundjava do të shoqërohet me ulje temperaturash. Në zonat malore termometri pritet të shkojë deri në minus 1 gradë celsius.
Paqëndrueshmëria atmosferike që tashmë është prezente mbi vendin tonë do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë duke sjellë mot me vranësira dhe me reshje shiu që do jenë me intensitet të ulët e hera herës në veri-perëndim me intensitet deri mesatar. Në zonat malore në verilindje në lartësitë mbi 800 metra dhe në juglindje në lartësinë mbi 1 mijë metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës por me intensitet të ulët.
Për shkak të erës së fortë, që pritet të përshijë bregdetin, në Durrës, u pezullua lundrimi i trageteve që nisen nga Durrësi në drejtim të Barit dhe anasjelltas. Kjo pasi dallgët pritet të shkojë deri në 3.5 metra. Po ashtu u ndalua edhe dalja në det e anijeve të peshkimit dhe mjeteve të vogla lundruese.
Edhe fillimi javës pritet të jetë nën ndikimin e këtyre masave të qëndrueshme dhe të ftohta. Ndërkohë duke filluar nga dita e hënë intensiteti i erës do të bjerë./Hej.al