“Çdo shkrimtar, pavarësisht nëse e pranon apo jo, do të donte ta fitonte Nobelin. Këtë vit ishte radha ime dhe jam shumë i lumtur, por mbetet e rëndësishme të kujtojmë se ka shumë autorë të tjerë të mëdhenj që do ta kishin merituar, dhe nuk e kanë marrë”.
Me xhaketën e zezë dhe flokët e lidhur bisht, Jon Fosse, autori norvegjez që u vlerësua me çmimin më prestigjioz për letërsinë, flet me përulësinë dhe mirësinë e tij të zakonshme.
Akademia suedeze ju nderoi me çmimin Nobel për “prozën novatore që u dha zë atyre që nuk e kishin”. A e gjeni veten në këtë motivacion?
Krejtësisht, sepse pikërisht këtë gjë kërkoj të bëj. Shkrimet e mia formësohen nga një gjuhë fjalësh që mund të lexohen, por ka edhe një tjetër gjuhë të heshur, e cila kërkon të shprehë atë ç’ka është vërtetë e rëndësishme në jetë dhe që, si në prozë ashtu edhe në teatër, nuk mund të thuhet drejtpërdrejt. Shpresoj që lexuesit e “Setologjisë” t’i ndjejnë këto fjalë të heshtura. Është përkufizuar si një poemë e gjatë në prozë, dhe në fakt duke e shkruar, unë vetë jam ndjerë më shumë si poet, sesa si autor në kërkim të një historie apo të ndonjë drame.
“Setologjia” është një sipërmarrje narrative prej më shumë se 1,200 faqesh, pa asnjë pikë, e ndarë në shtatë pjesë. Proza është përfshirëse, mistike, me një protagonist që rrëshqet mes së tashmes dhe së shkuarës, duke reflektuar mbi kuptimin e artit, fesë, jetës. Nga e merr frymëzimin një vepër kaq jotradicionale?
Preferoj që të mos planifikoj asgjë paraprakisht. Kur shkruaj, dua të surprizohem. Ulem me tastierën e kompjuterit përpara dhe vazhdoj. Nëse fillimi është i mirë, pas ca faqesh krijohet një univers i tërë dhe gjithçka është vendosur. Kështu që s’më mbetet gjë tjetër veçse të dëgjoj. Të shkruarit është një proces dëgjimi, i ngjan muzikës. Kur isha adoleshent, luaja muzikë, më së shumti kitarë, por edhe violinë. Pastaj, papritur ndalova dhe nisa të shkruaja, duke kërkuar të rikrijoja nëpër faqe të njëjtën gjendje në të cilën ndodhesha falë muzikës. Dhe ja ku vijnë gjithë përsëritjet, variacionet e prozës sime… Sigurisht që muzika nuk është shkrim, por mund të shërbejë si një metaforë e mirë.
Pas Nobelit, thatë se “u habitët, por jo shumë”.
Ka dhjetë vjet që emri im qarkullon mes kandidatëve, kështu që në një farë kuptimi isha i përgatitur. Ngaqë s’kishte ndodhur kurrë, pikërisht këtë vit i thashë vetes: “Nuk do ta marrësh Jon, je idiot nëse beson se mund të ndodhë”. Por më 5 tetor, duke vozitur përgjatë bregdetit në pjesën jugperëndimore të Norvegjisë, u telefonova nga Akademia Suedeze. U lumturova, por nga ana tjetër mendova se nuk ishte e mundur. Menjëherë njoftova gruan time, më pas në mbrëmje darkuam në apartamentin e vogël që kemi pranë qytetit të Bergenit. Një festë e vogël, paqësore, i ftuari i vetëm i së cilës ishte djali im i madh që jeton në atë zonë.
Jeta juaj ndryshoi në më pak se një javë.
Menjëherë erdhën gazetarë dhe trupa televizive. Pastaj gjatë këtyre ditëve, qindra, në mos mijëra email, mesazhe, telefonata, kryesisht urimi. Po u përgjigjem sa më shumë të mundem, janë ditë të ngarkuara, por mendoj se vëmendja do të bjerë. Më ka ndodhur edhe më parë, thuajse pesëmbëdhjetë vite më parë, kur mora famë prej teatrit. Siç e përmenda, udhëtoja shumë, por u lodha goxha dhe vendosa të ndalesha. Për më shumë se dhjetë vjet kam refuzuar pothuajse të gjitha ftesat. Tani po marr shumë prej tyre, do të shkoj patjetër në Stokholm për të marrë çmimin, por më pas mendoj se dera ime do të mbyllet përsëri, do të kthehem në jetën time të qetë, duke shpresuar të shkruaj si më parë.
Ju nuk e keni fshehur historinë tuaj me alkoolizmin. A është ndikuar vepra juaj prej saj?
Kur udhëtoja nëpër botë për veprat e mia teatrore – kam qenë në Shangai, Tokio, Kubë… – gjysmën e vitit isha në udhëtim, thuajse gjithmonë vetëm. Shoqëruesja ime e vetme ishte një shishe whisky. Alkooli më ndihmonte të përballoja gjithçka, por kur teprohej, bëhej shkatërrues. E gjeja veten duke pirë edhe në mëngjes: nuk e kontrolloja më unë atë, por më kontrollonte alkooli mua. Deri sa një ditë u shemba përtokë dhe më dërguan në spital. Ndodhi atëherë që, kur dola i gjallë nga spitali trembëdhjetë vjet më parë, i thashë vetes: “Tani mjaft më”. Sot mund të pi normalisht, si të gjithë, ama prej kohësh alkooli për mua nuk ka një shije të mirë, nuk është diçka që më tërheq. Dhe më është dashur ta zëvendësoj me diçka tjetër.
Me çfarë?
Mbi të gjitha me të shkruarin. Qëkur ndalova pijen, kam shkruar shumë më shumë, duke mbushur orët. “Setologjia” lindi mes orës 5 të pasdites dhe 9 të mëngjesit. Dhe kthesa ime e madhe ndodhi rreth një vit e gjysmë pas ndërprerjes së alkoolit.
Çfarë ju ndodhi?
Duhet thënë se kur isha i ri, rreth shtatëmbëdhjetë vjeç, e lashë krishtërimin protestant, që përbën shumicën në Norvegji, dhe për shumë kohë nuk i përkisja asnjë besimi. Për një periudhë më tërhoqi lëvizja kuaker, pa priftërinj, pa meshë, pa sakramente. Derisa, pasi kreva punë me alkoolizmin, ndjeva se kisha nevojë për diçka më të fortë dhe iu afrova katolicizmit, të cilin – me një grua katolike dhe jo vetëm për këtë arsye – kisha filluar ta përthithja që në vitet 1980. Në një farë mënyre, mesha u kthye në një formë për të hyrë në diçka më të madhe, njëlloj siç përpiqem të bëj me shkrimin, duke u përpjekur të çlirohem dhe të arratisem diku tjetër. Sot jam një katolik praktikues, shkoj në meshë një herë në javë, lutem çdo ditë, si në një lloj meditimi. Ama, edhe pse normalisht e përkufizoj veten si besimtar, në shumë aspekte jam larg dogmatizmit. Te “Setologjia” citoj teologun mesjetar gjerman Meister Eckhart, i akuzuar për heretizëm, i cili ka ndikuar në mënyrën time të të menduarit. A mos jam dhe unë heretik? Nuk më intereson dhe them se nuk i intereson as Zotit, që, kush e di, ndoshta i do dhe heretikët.
Keni folur edhe për një tjetër episod të jetës suaj: një aksident rrugor, shtatë vite më parë, ku patët rrezikun e humbjes së jetës. Keni thënë se ju ka shënjuar. Në ç’mënyrë?
Më dha një perspektivë të jetës jashtë vetes. E pashë veten nga jashtë, në një dritë vezulluese, në një gjendje të qetë dhe të lumtur. Dhe kjo perspektivë “jashtë meje” është themeli i shkrimit tim. Përpjekja ime për të thënë të papërshkrueshmen, ka të bëjë me këtë aksident, me këtë përvojë themelore të jetës sime.
Shkrimi gjithashtu luajti një rol vendimtar në rrugëtimin tuaj ekzistencial.
Tregimet e para janë shkruar pesëdhjetë vjet më parë. Që në adoleshencë ndjeja se letërsia më jepte prehje, më mbronte. Ndihesha i shpëtuar. Të shkruaja, ishte mënyra ime e të jetuarit. Mërzitem nëse nuk e bëj, shqetësohem. Në të njëjtën kohë, teatri pothuajse më vrau: jo aq shkrimi i dramës apo produksionet, por kaosi që vërtitej rreth tij. Kisha deri në njëqind premiera në vit, por nuk isha njeriu i duhur: jam i turpshëm dhe i rezervuar, një person ekstrovert do t’ia kishte dalë më së miri. Kjo është arsyeja pse u ndala, edhe pse më vonë iu ktheva sërish dramaturgjisë. Në përgjithësi, kam kuptuar se duhet të bëj pushime nga të shkruarit. Në të kaluarën e kam bërë, për shembull, duke dhënë mësim. Një mënyrë tjetër është përkthimi. Kohët e fundit jam marrë me “Procesin” e Franz Kafkës dhe një përmbledhje të tregimeve të tij të shkurtra.
Mendoni se është paralelizëm i duhur ai që ju krahason me Beckett dhe Henrik Ibsen?
Kur isha student, lexoja Beckett-in, ia vlerësoja shumë veprat teatrore dhe ia kam parë shumë herët disa prej shfaqjeve të mëdha. Ka pasur diçka që më tërhiqte, dhe ende më tërheq. Teksa shkruaja veprën time të parë dramaturgjike, kisha një lloj frike nga zëri i tij aq i fortë. Prandaj, në vitin 1992, e titullova “Dikush do të vijë”, një përgjigje për “Duke pritur Godot”, a thua se Beckett ishte një lloj babai ndaj të cilit duhej të ngrija krye. Sa i përket Ibsen-it, ne jemi të dy norvegjezë dhe të përfaqësuar mirë jashtë vendit, por e ndjej shumë të largët. Në veprat e tij ai arriti t’i bëjë të dukshme forcat e padukshme që drejtojnë jetën tonë, duke na kujtuar tragjeditë greke, por në artin e tij nuk ka dashuri.
Cilat janë modelet tuaja dramaturgjike?
Nëse flasim për ndikimet e përgjithshme, ai që ka pasur vërtetë peshë është një filozof: Martin Heidegger. Nëse përqëndrohemi në ndikimet letrare, bëhet fjalë për norvegjezin Tarjei Vesaas. Romanin e tij më të njohur, “Zogjtë”, e kam lexuar kur isha fare i ri.
Sa i takon Nobelit, nuk ju kanë bindur çmimet e dhëna figurave si Bob Dylan dhe Dario Fo, ndërsa keni mbrojtur mirënjohjen që iu bë austriakut Peter Handke.
Edhe vetë Dylan-i nuk donte ta merrte çmimin Nobel. Ai është një kantautor i zoti, por jo poet. Kënga e tij “Mr. Tambourine Man” mund të duket si poezi, por nuk është, sepse ka nevojë për muzikën që të marrë forcën e vërtetë. Në mënyrë të ngjashme, mund të admiroj Dario Fo-në si njeri i teatrit, por nuk është shkrimtar. Sa i takon Handke-s, është e vërtetë se i ka shkuar në funeral Slobodan Miloševic-it dhe ka gabuar, por nëse shihet vetëm letërsia e tij, besoj se është shkrimtari që admiroj më shumë në të gjallë, qoftë si tregimtar, qoftë si dramaturg.
A ka autorë të tjerë bashkëkohorë që i admironi?
Nuk lexoj shumë letërsi bashkëkohore, por këtu në Norvegji kemi Dag Solstad, edhe ai ndër favoritet për Nobel. Do ta meritonte.
Sa ndikon peizazhi norvegjez në frymëzimin tuaj letrar?
Shumë. Jam rritur në fshatin Strandebarm, pranë Hardangerfjord i rrethuar nga peizazhet e fiordeve dhe kjo ka qenë e rëndësishme në formësimin tim. Edhe në këtë rast çështja nuk është autobiografike. Bëhet fjalë për zërin tim si shkrimtar, krijuar prej gjuhës sime dhe këtij peizazhi.
A jeni duke punuar për projekte të tjera?
Po, gjithmonë jam duke punuar për diçka. Pikërisht falë spekulimeve për Nobelin, rashë në kontakt me australianin Gerald Murnane, një tjetër autor që me siguri e meritonte të fitonte. Fillova ta lexoja, e vlerësova, ndaj përktheva romanin e tij “Fushat”, i cili do të botohet këtu në pranverë. I jam përkushtuar edhe letërsisë artistike, por vitin tjetër nuk dua të botoj asgjë. Romani im i ri do të dalë në vitin 2025.
*Jon Fosse lindi më 1959 dhe është autor i romaneve, veprave teatrale, eseve, librave për fëmijë, por njihet dhe vlerësohet, mbi të gjitha, si dramaturg. Fitues i shumë çmimeve letrare në Norvegji dhe jashtë saj, u nderua me çmimin Nobel për vitin 2023. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.