Analisti Milaim Zeka, i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH ka hedhur akuza të rënda në adresë të gazetarit Blendi Fevziu, lidhur me disa incizime ekskluzive që, sipas tij, ishin të tijat, të cilat, ai pretendon se janë përdorur në emisionin e tij “Opinion”, pa i përmendur fare emrin.
Deklaratat e Zekës u bënë në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH.
“Më dhemb në shpirt. Nëse Blendi Fevziu bën dy emisione ekskluzive tek “Opinioni”. Del një matrapaz, një hajdut, që i çon incizimet e mia të luftës tek ai dhe Blendi Fevziu nuk ma përmend as emrin. Thotë ishte brenda në frontline të një gazetari suedez me origjinë nga Kosova dhe këto incizime ja jep madje dhe Auron Tares.
Unë për ato incizime jam plagosur me datën 21 maj të vitit 1999. Krevati im hedhur në ajër 500 metra për shkak të bombës. Mjeku, i cili më ka operuar në kokë pa narkozë, ka bërë një libër “Duart e përgjakura”, ku përshkruan momentin kur më ka operuar. Më thotë a je çmendur që ke lënë Stokholmin dhe je kthyer në luftë?”, tha Zeka.
Në rrëfimin e tij, Zeka theksoi se në emisionin e parë e ka marrë në telefon dhe i ka thënë: ”Blendi këto janë incizimet e mia”. I pyetur nga moderatori Andri Xhahu nëse kishte marrë një përgjigje për incizimet e luftës, Zeka u përgjigj se as në emisionin e dytë Blendi nuk e përmirësoi.
“Jo jo, fare as ja ndjeu për atë punë dhe në emisionin e dytë të njëjtën gjë, fare nuk e përmirësoi”, u shpreh Milaim Zeka.