Darka është vakti më delikat i ditës pasi është hapi i fundit kur trupi përgatitet për gjumë. Është e ditur tashmë që ushqimet pikante, sheqernat apo shumë yndyrë do t’ju rëndojnë e për rrjedhojë do të prishin cilësinë e gjumit tuaj. Nëse qëndroni larg këtyre ushqimeve shumë të përpunuara gjatë vaktit të darkës dhe keni përsëri probleme me gjumin, me siguri ju po konsumoni një listë tjetër ushqimesh të cilat nuk ju ndihmojnë.
Në këtë artikull ju tregojmë një listë ushqimesh të shëndetshme, të cilat gjithashtu duhen evituar gjatë darkës për një gjumë të mirë:
Djathi kaçkavall
Nëse konsumoni disa copa djathi kaçkavall gjatë darkës dhe keni vështirësi gjatë fjetjes, sapo keni gjetur shkakun. Djathi kaçkavall duke qënë se është i fortë dhe zakonisht me shumë yndyrë është i vështirë për t’u tretur. Kur trupi shtrihet proçesi i tretjes ngadalësohet dhe ky ushqim do t’ju shkaktojë djegie në stomak e vështirësi në frymëmarrje.
Çokollata e zezë
Megjithëse rekomandohet si një ndër embëlsirat më të shëndetëshme çokollata e zezë është një kërcënim për gjumin. Çokollata e zezë është e pasur me polifenole dhe një burim i madh kafeine. Pijet me përmbajtje kafeine sigurisht që duhen evituar gjatë darkës nëse doni të flini të qetë.
Qoftet
Mishi është një burim i shkëlqyer proteine dhe hekuri që e ndihmon organizmin tonë në shumë mënyra. Qoftet tipike, me mish të grirë mund t’ju shkaktojnë probleme në tretje për shkak të dhjamit dhe yndyrës që ato përmbajnë. Për këtë arsye çdo pjesë mishi me shumë yndyrë, qofte apo hamburger duhet ta evitoni të paktën deri në katër orë para se të flini.
Çaji jeshil
Çaji jeshil përmban kafeinë, pak a shumë aq sa një filxhan kafeje. Kështu që konsumimi i kësaj pije në darkë do t’ju sjellë shqetësime gjatë gjumit. Sigurohuni të pini çaj jeshil 5 orë para se të flini gjumë dhe zëvëndësojeni atë me çaj kamomili para gjumit./hej.al