Pas ngjarjes së rëndë në Prishtinë, një tjetër krim i rëndë ka tronditur Maqedoninë e Veriut. Një 14-vjeçare u gjet e vrarë afër një 74-vjeçari në kryeqytetin Shkup. Mediat maqedonase raportojnë se e mitura u rrëmbye para disa ditësh ndërsa po dilte nga shtëpia. Ndërsa ngjarja është e rëndë në vetvete, autoritetet kanë zbardhur detaje që e bëjnë vrasjen akoma më tragjike.
Ministri i Punëve të Brendshme në Maqedonë e Veriut, Oliver Spasovski tha në një konferencë për media se rrëmbimi i të miturës është udhëzuar nga babai, pasi ky i fundit kërkonte para nga nëna e saj.
Sipas, Spasovskit e mitura është marrë nga banesa me makinë, pasi babai informuar autorët për ditën dhe orën kur vajza do të dilte nga shtëpia.
Makina i përket 74-vjeçarit që u gjend i vdekur pranë 14-vjeçares dhe është përdorur nga autorët e krimit e më pas është djegur. Ministri specifikoi se dy vrasjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën por bëhet fjalë për të njëjtët autorë të përfshirë.
“Në emër të gjithë MPB-së i shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë Maqedonisë. Pesë persona janë të përfshirë në këtë vrasje. Tre prej të tyre ndodhen në paraburgim, njëri është në arrati, ndërsa babai i të miturës është ndaluar nga policia, pasi ka informuar autorët për vendndodhjen e vajzës. Sipas konstatimeve fillestare, të një familjari, ai ka organizuar krimin me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e të miturës, nga të cilat të gjithë personat e përfshirë do të përfitonin financiarisht”.
Kjo ngjarje e rëndë vjen pas tragjedisë së Prishtinës, ku Naim Murseli pagoi vrasës me pagesë për të ekzekutuar bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve. Ai pranoi krimin dhe tregoi para gjykatës se kishte inskenuar vjedhjen në makinë për të vrarë bashkëshorten./hej.al