Shkencëtarët kanë dhënë alarmin se Toka do të përballet me stuhi diellore në vitin 2024, por për astrofizikantin Enkelejd Caca, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. I ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare”, Caca tha se bëhet fjalë për një aktivitet të vazhdueshëm të diellit që siguron edhe jetën në Tokë.
Teksa theksoi se fuqia e këtyre stuhive nuk mund të parashikohet, ai shtoi se megjithatë mikrorrymat mund të ndikojnë pajisjet që përdorim në Tokë.
“Nuk do të shqetësohesha fare, është një aktivitet i vazhdueshëm i diellit që siguron jetën në Tokë. Nuk është diçka e jashtëzakonshme, nuk e kuptoj pse duhet të jemi kaq të shqetësuar. Ne mbajmë mend 2 super stuhi që kanë ndikuar tej mase një është para rreth 150 vitesh që ishte në gjendje të ndërpriste sistemin e ndërlidhjes së asaj kohe, po flasim për telegrafin, sepse mënyra si funksionon telegrafi është shumë e ndjeshme. Kemi stuhinë gjeomagnetike të 1989, në Kanada pati probleme me rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Mikrorrymat mund të ndikojnë te pajisjet që ne kemi, por nuk është diçka që ne nuk e dinim”, u shpreh ai.