Dhimitëro Boli, mjeku 34 vjeçar që studioi në shkollat më të mira evropiane ka rrëfyer në “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 se si la Britaninë për të ushtruar profesionin e tij në vendlindjen e tij në fshatin Rumanzë të Sarandës.
“Pas 1 dekade, jam nga ata njerëz që nuk dua të largohem. Në Evropë promovohet jetë ideale por nëse njeriu nëse zbaton parimet në jetë kalon shumë herë më mirë se sa jashtë. Kam jetuar në Athinë, kam udhëtuar në disa vende të Evropës, por sot që jam 34-vjeç duke e trajnuar më shumë veten time, dua të ushtroj edhe më shumë profesionin tim që e kam me pasion në vendin tim dhe jo në një vend tjetër”, u shpreh Boli për emisionin “Jetë Shqiptare”
Ai tregoi se si e bindën fjalët e gjyshes që klinikën e tij ta hapte në fshatin e tij, Rumanzë.
“Fshati Rumanza është në periferi të Sarandës por këtu ka një histori të bukur. Para disa vitesh u ktheva këtu, prindërit jetonin në Athinë, këtu jetonte gjyshja me gjyshin.
Një ditë kur isha me gjyshen, i thashë gjyshes a mund të gatuash diçka shpejt sepse unë dua të shkoj në qytet të hap një klinikë. Ajo më dëgjoi më vëmendje dhe më tha pse nuk e hap një klinikë këtu në fshat. Nëse ti je i aftë dhe i mirë në profesionin tënd do kesh punë edhe këtu në Rumanza.
Gjithmonë e kam pasur në mendje se do të kthehesha në fshatin tim. Kam tre vjet që jam këtu”, tha Boli.