Papa Françesku erdhi në krye të kishës katolike si një figurë moderne, një profil argjentinas i ngrohtë dhe i komunikimit publik. Ishte koha e skandaleve të pedofilisë mes priftërinjsh dhe njerëzit sa vinin e po i largoheshin kishës. Ishte një moment i errët. Megjithatë, që prej qëndrimit në krye të Vatikanit e deri më sot, Papa Françesku nuk ka pasur asnjë deklaratë që të ketë shkaktuar zemërim.
As sot nuk ka pasur kundërshtime pas vendimit për të bekuar martesat mes të njëjtës gjini. Papa ka lejuar që priftërinjtë të bekojnë në altar të dashuruarit e së njëjtës gjini. Një vendim historik, revolucionar që mund të kishte shkaktuar furtunë. Por në fakt jo.
Në një dokument të publikuar nga zyra e Vatikanit thuhet se bekimet e tilla nuk do t’i bëjnë të ligjshme situatat e parregullta, por do të jenë një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë.
Vendimi nuk duhet në asnjë mënyrë të ngatërrohet me bekimin e martesës mes një burri dhe një gruaje, sipas Vatikanit.
Priftërinjve u kërkohet të vendosin për çdo rast veç e veç dhe “nuk duhet ta parandalojë apo pamundësojë afërsinë e kishës me njerëzit në çdo situatë në të cilën ata mund ta kërkojnë ndihmën e Zotit përmes një bekimi të thjeshtë”.
Dokumenti, i publikuar të hënën, thekson kushtet e caktuara për bekimin e çifteve të së njëjtës gjini.
Kisha mëson se tërheqja e gjinisë së njëjtë nuk është mëkat, por veprimet homoseksuale janë. Prej se u zgjodh më 2013, Françesku është përpjekur ta bëjë kishën, e cila ka 1.3 miliard anëtarë, më mikpritëse për njerëzit e komunitetit LGBT, pa e ndryshuar doktrinën e moralit për homoseksualitetin./hej.al