Shqiponja dykrenare e shtypur mbi një plis të mbajtur nga vetë Papa Françesku ishte një surprizë e bukur.
Fotografia befasuese e kreut të Kishës Katolike u bë e njohur nga vetë kryeministri Edi Rama dhe u shtrua për diskutim në studion e “Jetë shqiptare”: si arriti plisi të përfundojë deri në selinë e shenjtë?
Gazetarja Alba Kepi hodhi një hipotezë për ngjarjen.
“Kontaktova miqtë e mi vatikanistë, gazetarë, të cilët janë hap pas hapi me papa Françeskun dhe deri tani nuk kemi mundur ta zbulojmë. Por përderisa kryeministri shkruan se është foto e vitit, duhet të jetë nga viti 2023. Me shumë gjasa mund të jetë pjesë e një takimi që Papa zhvilloi në fund të tetorit me një grup të rinjsh shqiptarë, kur bëri edhe një videomesazh dedikuar rinisë shqiptare, duke kërkuar që të punojnë dhe ta adhurojnë atdheun e tyre. I ka kërkuar të luten për atdheun dhe vetë papën. Mund të jetë edhe një foto e marrë gjatë një audience gjenerale publike, si dje, ditën e mërkurë, plus lutjes që mbahet të dielën.
Një grup të rinjsh kanë nisur një nismë për ta futur plisin në Unesco, prej historisë 5-mijëvjeçare, lidhet me fisin e albanëve, jo vetëm si një objekt i traditës shqiptare, por edhe me elemente që lidhen me moralin, kulturën, dinjitetin dhe familjen. Janë shumë gjëra që e bëjnë këtë fotografi të papës mjaft me vlerë,” tha znj. Kepi.