Kanë nisur hetimet për dhunë në familje për Bedrie Lokën, ndërsa nuk përjashtohet pista e vrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka.
Ndërkohë është shoqëruar në polici për ngjarjen e rëndë bashkëshorti i viktimës. Mbrëmjen e së premtes, policia vendore deklaroi se po heton për keqpërdorim të dhënash, ndërkohë pretendimet e familjarëve të saj, po dhe të personave që punonin me të ngrejnë dyshime se Bedrie Loka është viktimë e dhunës në familje. I pyetur pas ngjarjes nga punonjës të policisë, bashkëshorti ka deklaruar se mund të ketë qenë Tik Tok që e ka shtyrë drejt vetëvrasjes, ndërkohë dyshimet janë shtuar. Xhemal Loku ishte ai që e gjeti i pari mëngjesin e së martës dhe e dërgoi në spital, ku nuk arriti të mbijetojë.
Fillimisht ngjarja u interpretua si një rast i rëndomtë vetëvrasjeje, që nuk pati rëndësi as për një njoftim të thatë zyrtar, derisa dikush ngriti zërin dhe vdekja e Bedrie Lokës u mediatizua një ditë pasi u përcoll në heshtje, si me turp, drejt banesës së fundit.
Një grua u vetëhelmua e shkatërruar nga sulmet, fyerjet në TIK Tok nga një profil i rremë me emrin “Bedrie K…”. Foto e saj qarkullonte në rrjet e shoqëruar me sharje që cenonin moralin dhe dinjitetin e saj.
Një vit mê parë ajo nuk heshti. E denoncoi rastin në polici. Çështja u mbyll dhe u deklarua se u bë një marrëveshje mes palëve për ta mbyllur çështjen. U kërkua falje nga ish-punonjësja e fabrikës, e afërme me viktimën, po dhe persona të tjerë që e mbështetën në denigrimin e saj, po Bedria nuk gjeti shpëtim.
Familjarë dhe bashkëfshatarë të tregojnë, jo para mikrofonit, se prej vitesh ajo punonte në fabrikë dhe i rriste e vetme 4 fëmijët e saj, dy prej të cilëve ende në moshë të mitur./hej.al