Një reagim të ashpër mbi ngjarjen e rëndë ndodhur në Greqi në një familje shqiptare ku babai vret kunatin për përdhunimin dhe shantazhimin e vajzës ka dhënë dhe profesori i njohur i filozofisë dekani i fakultetit të gazetarisë prof. Artan Fuga. Në një status në llogarinë e tij në FB ai merr në mbrotje babain e vajzës duke thënë se kjo ka qenë vetmbrojtje
“Drama që pësoi i gjori shqiptar në Greqi dje, nëse infot janë të sakta, u ngjan dramave të Sofokliut, të Shekspirit, Incest, pedofili, përdhunim, shantazh, krim në familje, pabesi, të gjitha këto, nëse vërtetohen, a nuk do të shoqëroheshin me vrasje? A duronte dot më i gjori për gjithçka pësonte vajza e tij? Unë kam bindje se ai kur ka kryer aktin final ka qenë në kushte vetëmbrojtjeje! Sa mirë e kishte filozofi Sade kur argumentonte që në kushte të caktuar përse të ketë të drejtë të vrasi vetëm shteti, ta zemë polici në kushte agresioni mbi të, dhe jo edhe qytetari!. Sa do të doja të isha avokati i tij në gjyq!”
Prof. Fuga shtron më tej arsyetimin se armët me leje duhet të lejohen. Në deklaratën e tij ai sqaron se ashtu si shteti ka të drejtë edhe individi në rrethana të tilla të ketë të drejtë të mbrohet.
“…Në këto raste kush mund ta kërkojë gjakftohtësinë? Nuk ka filozof të madh, dramaturg nga Shekspiri, Sofokliu, etj. që e pranon. Unë flas si intelektual jo si prokuror. Prandaj bëj avokati. E tjetra, përse në ShBA popullsia ka armë me leje. unë jam për armën me leje…” , shkruan prof. Artan Fuga.
Krimi i rëndë brenda familjes shqiptare në Volos të Greqisë i ndodhur mbrëmjne e së martës (9 Janar) ka shkaktuar tronditje dhe neveri në opinionin publik në vendin fqinj si edhe në Shqipëri. 33-vjeçari shqiptar Erjon Pelivan u vra mbrëmjen e djeshme me armë gjahu nga kunati i tij (bashkëshorti i motrës) Fatmir Telellari, i cili pasi vrau 33-vjeçarin u vetëdorëzua në polici. Në dëshminë e tij në polici autori tha se mori hapin ekstrem pasi vajza e tij 18-vjeçare i kishte rrëfyer se 33-vjeçari e kishte përdhunuar që në moshën 9-vjeçare dhe se e shantazhonte se do publikonte pamje nga momentet intime me të miturën. 18-vjeçarja është thjeshtra e motrës së viktimës. 33-vjeçari nuk ishte daja i vajzës. Gruaja e parë e 50-vjeçarit, mamaja e vajzës kishte vdekur vite më parë në një aksident rrugor. Ai ishte martuar për së dyti me motrën e 33-vjeçarit disa vite më vonë.