Nga Malvina Tare
Shumëkush lidhur me moshën dhe tragjikomedinë e një martese në atë moshë, do e lidhte me veprën e Çajupit “14-vjeç dhëndër”, i cili e mbulon dramën ekzistenciale të katundit shqiptar me humor. Pa diskutim Çajupi thuri një vepër me vlerë të pakohë për të pasqyruar mentalitetin e mykur të fshatit shqiptar në atë periudhë. Por, drama na shfaqet sot, në ekranet e televizionit. E 14 vjeç këtë herë është një nuse, një vajzë “e martuar” me dëshirën e saj, me një djalë rreth 20 vite më të madh.
Lajmet e fundit me përdhunime, vrasje brenda familjes, mashtrime po tregojnë qartë se jemi duke përjetuar një dramë shoqërore dhe se e kemi humbur fillin e disa rregullave të pashkruara të moralit që na ndihmojnë të krijojmë familje.
Nëse kjo marrëdhënie po flitet e përflitet vetëm nëse ka pasur një abuzim seksual apo intim, në një marrëdhënie që është kurorëzuar me martesë, është një debat i cekët që nuk sjellë gjë të re.
Po askush nuk bën pyetjen: çfarë e shtyn një 14-vjeçare “të martohet”?
Pa harruar që të gjithë ne vajza e djem në moshën 14-vjeçare këmi dashur të ikim të paktën një herë nga shtëpia, kjo sepse shumë gjëra na ndaloheshin, por mosha na jepte “kurajo” për të kundërshtuar dhe mos u bindur.
Të gjithë ne në moshën 14-vjeçare kemi ëndërruar për të jetuar në shtëpinë e shoqeve, në shtëpinë e fqinjëve, diku tjetër që na “duan” më shumë se në shtëpinë tonë.
Por, një djalë në shoqërinë shqiptare, ikën e kthehet, del e vjen kur do, ikën pa treguar e kthehet pa pyetur. Kështu i ka brumosur vendi.
Por, ah moj vajza, martesa nuk ju shpëton!
Mos ëndërroni moj vajza, se martesa është liria. Martesa është një detyrë e rëndë që sot jo kushdo e arrin. Martesa është shkolla e të gjithë çifteve, shkolla e moralit, e bashkëjetesës, e marrëdhënies, e komunikimit. E kush ia del kollaj me gjithë këto sot, që komunikimi jonë më shumë gjeneron komente dhe like Instagrami?
Martesa nuk të shpëton, ndërsa arsimi po, dija po. Shkollohu, mëso, mëso për veten dhe ndërtoje veten nga e para siç e do. Mëso dhe kërko nga vetja, kaq mundet ta bëjë edhe një vajzë në fshatin më thellë të Shqipërisë, atje ku edhe Instagrami hapet kollaj. Martesa është forma më e vështirë për të shpëtuar nga ajo që të duket si “kontrolli” i prindërve.
Një martesë në moshën 14-vjeçare është vetëm një rebelim i inatosur i një adoleshenti, pa ditur se po futet nën “një zgjedhë” të re. /hej.al