Moti i dimrit shpesh na nxit të vishemi me shumë rroba për të qenë ngrohtë, duke bërë kështu që shpesh të humbasim stilin. Shumë prej nesh përtojnë të vishen çdo ditë bukur, duke treguar kujdes të veçantë për çdo kombinim apo aksesor. Të vishesh bukur çdo ditë në këtë sezon është e vështirë, por jo e pamundur.
Hej.al i ka drejtuar stilistes së njohur shqiptare Stela Sallaku disa pyetje mbi modën dhe stilin edhe në këto ditë të ftohta dimri. Sallaku është mjaft aktive në rrjetet e saj sociale, sidomos në Instagram ku shpesh herë ajo jep sugjerime dhe këshilla në lidhje me veshjet për çdo sezon, duke qenë syri vëzhgues i stilit të veshjeve që zgjedhin shumë zonjusha dhe zonja.
Hej.al: Si mund të vishemi bukur pa humbur stilin, edhe në ditët më të ftohta të dimrit?
Stela Sallaku: Stili i veshjes është po aq personal sa dhe makeup, ose prerja e flokëve. Secila prej nesh tërhiqet nga trendet e sezonit të sapo ekspozuara në vitrinat e dyqaneve, por trendet nuk na bëjnë të dukemi me stil. Teoria aq e dëgjuar se “pak është shumë” gjen zbatim pikërisht në çdo rast, si në pikun e trendeve, por dhe në sezonet tranzitore.
Që të realizojmë atë veshjen minimaliste këshillohet të përdorim prerjet e pastra të The Row, ne ngjyrat bazike (bezhë, gri, kafe dhe e bardhë). Kështu krijojmë një veshje me stil, që i reziston trendeve dhe kohës.
Hej.al: Cili është aksesori që nuk duhet absolutisht të na mungojë?
Stela Sallaku: Golfi falso. Trikoja golf zë pjesën më të madhe të gardërobës tonë dimërore, por këtë sezon duhet ta veshësh nën këmisha e pulovra. Golfi falso, që ka vetëm pjesën e golfit dhe pak bust, shtresëzohet mirë nën këmisha, pa krijuar fryrje të panevojshme.
Hej.al: Çantat e mëdha apo të vogla, janë ato që mund të shoqërojnë më mirë një veshje dimërore?
Stela Sallaku:“Çantat e mëdha minimaliste”, aq të mëdha sa te mbani gjithë mjetet e nevojshme të ditës. Mbani mend që çantat janë aty për të kryer një funksion, jo vetëm për zbukurim!
Hej.al: – A janë shallet oversize ende në modë?
Stela Sallaku: Shallet oversize na i prezantoi Loewe fillimisht dhe të gjithë u dashuruam me ta. Bezhë, jeshile smerald ose gri do të ishin ngjyrat ideale!
Hej.al: Cila ngjyrë është mbretëresha e veshjeve të ditëve të ftohta janar-shkurt 2024?
Stela Sallaku: Ngjyra mbretëreshë do të thosha është grija metalike.
Nëse je guximtare vishe si kostum, nëse je si unë një palë pantallona cargo do ishin komode për t’u veshur si për periudhën e zymtë, por dhe më tej në pranverë. Me triko e kitten heel, ose bluza tyli me xhaketa oversize.