Një vajzë 4-vjeçare nga Republika Çeke ka shënuar rekord historik si personi më i vogël në moshë që ka arritur në kampin e bazës së malit Everest.
Bashkë me babin dhe vëllain 7 vjeç, Zara Sifra arriti të kryente udhëtimin sfidues prej 273 kilometrash për në kampin e bazës në lartësinë mbi 5000 metra.
Babai i saj, David Sifra, u sigurua që të kontrollonte vazhdimisht fëmijët për furnizimin e gjakut me oksigjen gjatë ngjitjes graduale.
Ekspedita e frikshme ishte e mbushur me sfida, duke përfshirë uljen e temperaturave deri në -25 gradë Celsius në kampin bazë të Everestit.
“Zara e vogël nuk lahet asnjëherë në ujë të ngrohtë, për këtë ndoshta i ftohti nuk i ka shkaktuar asnjë problem. Gjatë marshimit nuk ka pasur asnjë problem, falë gjendjes fizike shumë të mirë”, thuhet në postimin e vëllait të saj në Instagram.
Babai i Zarës beson se edukimi i vajzës së tij në Malajzi e ndihmoi atë të merrte përsipër ecjen sfiduese. Që në moshë të re, Zara eci 5-10 kilometra në ditë me rritje në lartësi prej 300-600 metrash.
Megjithëse Zara është shtetase e Republikës Çeke dhe Kanadasë, ajo banon në Malajzi me familjen e saj. Ajo tashmë flet tre gjuhë – çekisht, kinezisht dhe anglisht.
Pavarësisht moshës, ngjitja për në Everest apo edhe në bazën e tij është shumë e lodhshme për trupin, mund të shkaktojë sëmundje të rënda nga lartësitë e deri edhe vdekje. Simptomat shfaqen 6-24 orë pas ngjitjes në thuajse 3000 metra lartësi mbi nivelin e detit./hej.al