Nga Malvina Tare
Prej ditësh media veç BigBrotherit po gjen kohën për të folur edhe rreth ngjarjes së abuzimit me të mitur të mjekut kirurg 42-vjeçar. Televizioni është duke përpjetuar ditë të vështira sa i takon audiencës, kështu që disa prej të cilëve që transmetohen në YouTube sigurohen të thyejnë rrjetin të paktën me klikime, siç ndodhi në rastin e psikologes Ikbale Huduti e ftuar në emisionin e pasdites në TopChannel.
Media është kapur prej ditësh pas faktit se mjeku abuzues ishte i besimit mysliman dhe kjo fe e lejon martesën me disa bashkëshorte. Si e tillë është duke e trajtuar një fenomen sa social po aq edhe kriminal me këndvështrimin e besimtarëve, duke ftuar në studio hoxhallarë, priftërinj dhe pastorë, si dhe udhëheqës të tjerë shpirtërorë, apo ndjekës dhe predikues të besimeve fetare, për të gjykuar dhe komentuar një krim, një abuzim me të mitur.
Ne jemi një shoqëri dukshëm e painformuar për pedofilinë dhe për rrezikun e saj. Ne i çojmë fëmijët me duart tona te krimineli dhe abuzuesi shpesh herë. Dhe vendosim kufij të hekurt me fëmijët tanë adoleshentë, duke qenë të verbër në veprimet e tyre.
Sot duhet të nisim e të flasim ndryshe me 12-vjeçarët. Duhet t’i trajtojmë si të rritur për sa kohë që problemet e tyre nisin herët dhe për sa kohë që fëmijët në moshën 14-vjeçare nuk nisin më të shoqërohen me prindërit në shumë aktivitete të ditës.
Duhet të flasim në familje dhe ta bëjmë normale, të flasim me vajzat për djemtë dhe me djemtë për vajzat. Vetëm kështu mund t’i mbajmë larg nga abuzuesit dhe t’i mësojmë të kuptojmë se kur tjetri është duke tentuar t’i fusi në grackën e abuzimit.
Por, së pari duhet të ngremë zërin dhe të pyesim për ligjet tona. Sa na i mbrojnë fëmijët këto ligje? Sa të egër janë ligjet ndaj kuranit apo çdo libri tjetër fetar që predikon një fe të caktuar apo predikon mbi një marrëdhënie të caktuar shoqërore, familjare, martesore duke e legjitimuar.
Këto abuzime feja duhet t’i dënojë me të madhe, po ashtu si edhe ligji. Media pastaj nga ana tjetër, duhet t’i shohi vetëm nga këndvështrimi ligjor dhe të tregoj rrethanat e sakta të ngjarjes, jo të bier pre e sentimentalizmave dhe deklaratave fetare të mbushura me nota viktimizimi.
Feja myslimane duhet dijë dhe të gjejë mënyrën si të shkëputet së identifikuari veten, me këta abuzues që mbajnë mjekër dhe i thonë vetes “poligam”. /hej.al