Protestuesit kanë hedhur supë në Mona Lisa të mbrojtur me xham në Francë, duke bërë thirrje për të drejtën për “ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”.
Piktura e shekullit të 16-të nga Leonardo da Vinci është një nga veprat më të famshme të artit në botë dhe mbahet në Luvrin në qendër të Parisit.
Autoritetet thanë se vepra ishte pas xhamit mbrojtës dhe nuk ishte dëmtuar.
Pasi hodhën supë mbi pikturën e Da Vinçit dy protestueset thanë:
“Çfarë është më e rëndësishme? Arti apo e drejta për ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm? Sistemi juaj bujqësor është katastrofë. Fermerët tanë po vdesin në punë,” thanë ata.
Një grup i quajtur Riposte Alimentaire (Kundërsulmi ushqimor) mori përgjegjësinë për sulmun. Grupi bëri thirrje që një kartë ushqimi me vlerë 150 euro t’u jepet qytetarëve çdo muaj për t’u përdorur në ushqim.
Rachida Dati, Ministrja e Kulturës e Francës, tha se asnjë arsye nuk mund të justifikojë sulmin mbi veprat e artit.
Kryeqyteti francez ka parë protesta nga fermerët ditët e fundit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund rritjes së kostove të karburantit. Të premten protestuesit bllokuan rrugët kryesore brenda dhe jashtë Parisit.
Portreti i Mona Lisës është vendosur pas xhamit të sigurisë që nga fillimi i viteve 1950, kur u dëmtua nga një vizitor që hodhi acid mbi të.
Në vitin 2019, muzeu tha se kishte instaluar një formë më transparente xhami antiplumb për ta mbrojtur atë.
Në vitin 2022, një aktivist hodhi tortë në pikturë, duke u kërkuar njerëzve të “mendojnë për Tokën”.
Piktura u vodh nga muzeu në vitin 1911, duke shkaktuar një sensacion ndërkombëtar. Vincenzo Peruggia, një punonjës i muzeut më të vizituar në botë, u fsheh në një dollap gjatë natës për të marrë pikturën.
Ajo u gjet dy vjet më vonë kur ai u përpoq t’ia shiste një tregtari antike në Firence, Itali./hej.al