Nga Malvina Tare
Të flasësh për martesën nuk është e lehtë. Jo sepse mungojnë fjalët dhe reshtat letrare për të të dhënë kurajon drejt saj, por sepse të gjithë kërkojnë martesën perfekte dhe recetën është vështirë për ta krijuar. Them krijuar, sepse çdo çfit, çdo familje krijojnë martesën e tyre, me sfidat dhe qëllimet e tyre.
Shumë ngjarje tragjike, kanë shënjuar këtë vit, tragjedi familjare, gra të vetëvrara, tragjedi martesash. Martesa të palumtura, apo njerëz të palumtur? E megjithatë pyetja kryesore është a kanë mundur dot këto gra të krijojnë martesat e tyre?
Sepse shumica e këtyre grave që mbeten viktimë e familjes që ato vetë krijojnë, nuk munden kurrë dhe nuk ju jepet mundësia të krijojnë martesën e tyre.
Nuset e reja, ose vajzat e reja sot kërkojnë pavarësinë familjare, sidomos pas martesës. Kërkojnë më shumë nga vetja, ato mbartin lodhjen, por edhe gabimin, edhe suksesin edhe dështimin. Nëse ti di si futesh në një martesë, me siguri do ta gjesh edhe rrugën si të dalësh, kur ajo papritur të të kthehet kundër.
Vajzat bien grackë e martesave të palumtura që të tjerët i krijojnë për to. I krijon familja e tyre, familja e bashkëshortit, fisi, ose edhe thjesht rastësia, por ato vetë nuk vënë kurrë dorë në martesat e tyre. Nuk provojnë. Nuk tentojnë.
Një nuse si Bedrie Loka nuk është martuar vetëm e burrin e saj, por me të gjithë familjen e tij, me gjithë fisin. Me shumë siguri vjehrra i ka kontrolluar lekët, shpenzimet, blerjet, kërkesat, dëshirat. Me shumë siguri fisi i burrit ka vendosur më shumë për të se ajo për veten e saj. Kështu ajo ka vazhduar jetën së pari për hir të fëmijëve, e për hir të jetës, deri kur jeta nuk i gjeti më asnjë kuptim për t’i dhënë.
Sot ka ende vajza që fejohen ose martohen gjatë gjimnazit, të pa formuara mëndërisht, intelektualisht, e më pas edhe profesionalisht. I nisen jetës pa asnjë armë, që ta mbrojnë, e jo që ta vrasin atë.
Prandaj, gra, vajza, vini dorë në jetën tuaj, vini dorë në martesën tuaj dhe kërkoni prezencën tuaj në atë martesë që ju krjoni. Mos lejoni që dikush t’ju rrëmbejë kënaqësinë për të dashur familjen tuaj, t’ju rrëmbejë mundësinë për të rritur fëmijët tuaj, për të krijuar martesën tuaj.
Aq më keq, t’ju rrëmbejë dëshirën për të jetuar! /hej.al