Një 27-vjeçare i dha fund jetës ditën e djeshme, duke u hedhur nga kati i katërt i banesës, në Tiranë, pasi i kanë publikuar fotot intime në rrjetet sociale.
Dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë fotoja që të resë i ishte publikuar në rrjetet sociale, ndërsa është arrestuar edhe personazhi i njohur i Tik Tok-ut Altin Çoku. Ky i fundit është arrestuar si autor i cili ka ndarë foton në rrjetet sociale dhe në grupe Telegrami.
Mësohet se e reja ishte në proces divorci me bashkëshortin dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun, ku ky i fundit i ka bërë foto intime viktimës duke e ndarë më pas edhe në Tik-Tok.
“I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: Altin Çoku, 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën./hej.al