Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Pavarësisë.
Leximi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës është bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Terminologjia e deklaratës thotë se Pavarësia e Kosovës është e kufizuar në parimet e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit. Ajo ia ndalon Kosovës të bashkohet me çfarëdo vendi tjetër, ofron vetëm kapacitete të kufizuara ushtarake, thotë se Kosova do të jetë nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe parashikon mbrojtjen e minoriteteve etnike./hej/al