Nga Malvina Tare
Shpesh kur kujdesem për djalin tim të vogël dhe i konsumojmë bashkë të gjitha lojrat, mendoj ah sikur të kishte një gjyshe pranë. Jetesa larg familjes na ka kushtuar mungesën e dashurisë së gjyshërve, të cilët nëse do t’i kishim pranë do të na gjendeshin çdo ditë aty. E më shumë se ne të rriturit këtë e përjetojnë fëmijët, që po rriten në lagjet e mbipopulluara të kryeqytetit, me shumë lokale e bare dhe pak hapësira publike për fëmijët. Shumica e prindërve mundohen të kalojnë pasditet e tyre në kurse të krijuara me pagesë, ose në lokale të modifikuara si kënde lojrash. Të gjitha një artificialitet, që tani është kthyer në normalen e re.
Në të tilla çaste më kujtohet koha që kaloja me gjyshen time gjatë rritjes dhe fëmijërisë. Ajo ishte nëna jonë e dytë, edukatorja jonë, ajo që na mbronte dhe na mësonte. Me gjyshet kemi shtruar petë byreku, kemi thurur shtiza, kemi thurur çorape, e sa e sa mësime që sot nuk i blenë dot kurrsesi me lekë. E aq më pak t’i gjesh në ambientet e krijuara rishtaz që marrin përsipër edukimin e fëmijëve. Kur kujtoj gjyshen time mbushem me frymëzim dhe prej saj e kujtoj fëmijërinë time me ngjyrat më të bukura që ka jeta.
E megjithatë, kur më ndodh të shkoj në këto lokale me kënde lojrash aty shikoj jo vetëm prindër, por edhe gjyshe, ndonjëherë me telefona në dorë për të kapur një foto apo një video të nipit a mbesës dhe për ta postuar vrap në Facebook. Dhe jo vetëm për të postuar, por gjyshet ndjekin tani këshilla në internet, indjekin video gatimi, mësojnë nga njëra-tjetra dhe shpesh e përdorin telefonin edhe si një urë më të lehtë komunikimi me të rinjtë e sotëm.
Me nënën time bëj shaka ndonjëherë dhe i them se: “ju jeni brezi i nipërve dhe gjysheve të çmendur pas internetit”. Kjo është e vërtetë sepse jemi ende në fazën e eksplorimit të internetit si një mjet komunikimi, ndërlidhje, blerje, shitje e gjithëçfarë lloji, por padashur kemi harruar të kujtojmë kufijtë e tij dhe t’i japim aq rëndësi sa i takon.
Një gjyshe sot u arrestua për përdorimin e TikTok-ut dhe shfrytëzimin e nipit të saj të mitur. Sa lajm i trishtë!
I trishtë për edukimin, i trishtë për vlerat, për familjen, për të ardhmen e saj. Interneti po na cënon në familje, sepse përdorimi i tij pa kriter moshe nuk na bën më imun ndaj të gjitha ndodhive në rrjet. Të gjithë i janë dorëzuar internetit pa kushte.
Sot një fëmijë 10-vjeçar ka po aq informacione sa një 15 apo edhe 20-vjeçar, interneti i ka thyer kufijtë e moshës, po manipulon mendjet e vogla të fëmijëve me informacione bruto të çdo lloji.
Detyra e vështirë në këtë rast mbetet e ne të rriturve, prindër dhe gjyshër, që duhet të jemi përcaktues të këtij kufiri. E ndërsa gjyshet “moderne” të TikTok-ut nuk kanë për t’u mbajtur mend gjatë. Sepse gjyshet që mbahen mend janë gjithmonë ato që shtëpia ju kundërmon era byrek i sapogatuar dhe që nuk të përcjellin asnjëherë, pa të dhënë diçka me vete. /hej.al