20% e fëmijëve provuan ChatGPT të OpenAI
Nuk është për t’u habitur që YouTube ka krijuar Shorts. Një studim i ri mbi zakonet në internet të fëmijëve zbuloi se në vitin 2023, në botë, fëmijët e moshës nga 4 deri në 18 vjeç kaluan mesatarisht 112 minuta në aplikacionin e videove të shkurtra TikTok, në rritje krahasuar me 107 minuta një vit më parë.
Edhe pse YouTube mbetet aplikacioni më i madh i streaming në botë për këtë fashë demografike, vitin e kaluar, fëmijët kaluan 60% më shumë kohë në TikTok.
Të dhënat, që vijnë nga një studim i ri mbi mediat dixhitale të fëmijëve, analizuan edhe përdorimin prej tyre të teknologjive të reja si ChatGPT të OpenAI. Studimi, i cili analizon zakonet në internet të më shumë se 400.000 familjeve dhe shkollave në gjithë botën, u realizua nga prodhuesi i programeve kompjuterike të kontrollit prindëror Qustodio.
Në raportin e përvitshëm, kompania ilustron zakonet dixhitale të fëmijëve dhe përdorimin prej tyre të teknologjisë në pajisjet mobile dhe desktop, me studime të thelluara në tregje të zgjedhura si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Spanjë, Australi dhe Francë.
Ajo që është e veçantë në këtë seri të dhënash është se vijnë nga përdorimi i teknologjisë në botën reale nga fëmijët, në vend të pyetjeve nga një grup ekspertësh.
Megjithatë, të dhënat mund të mos jenë plotësisht përfaqësuese të zakoneve të fëmijëve në mediat dixhitale, pasi pjesa e tregut përfaqëson familjet dhe shkollat që përdorin softëare të kontrollit prindëror. Gjithsesi, një grup i madh të dhënash zbulon disa tendenca të përgjithshme që flasin se si fëmijët, si më të rinj, edhe më të rritur, angazhohen me teknologjinë.
Në veçanti, për herë të parë këtë vit, kompania analizoi përdorimin e teknologjive të reja nga fëmijët, duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale. Duke qenë se ChatGPT u përfshi në sistemin iOS vetëm në maj dhe në Android në korrik, Qustodio zgjodhi të analizojë ekskluzivisht përdorimin e faqes së internetit të OpenAI.
Në nivel global u zbulua se thuajse 20% e fëmijëve e vizitoi faqen vitin e kaluar, duke e renditur në faqen e 18-të më të vizituar të vitit. Në SHBA, 18.7% e fëmijëve e vizituan faqen, duke u renditur në vendin e 32-të. Australia regjistroi përdorimin më të madh, me 24% të fëmijëve që vizituan faqen në vitin 2023.
Në lidhje me streaming, fëmijët kaluan 27% më shumë kohë duke parë shërbime të streaming krahasuar me vitin e kaluar, edhe pse rritja e çmimeve të disa shërbimeve mund të ketë ndikuar te shifrat e shikuesve. Kompania zbuloi se në vitin 2023 fëmijët shpenzuan 4% më pak kohë duke parë Netflix, 23% më pak kohë në Disney+ dhe 12% më pak kohë në Hulu.
Ndërkohë YouTube dhe aplikacioni simotër, YouTube Kids, thyen rekorde. Koha në këtë të fundit u rrit me 14% në nivel botëror, duke arritur mesatarisht 96 minuta në ditë – kjo është shifra më e lartë që Qustodio ka regjistruar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 2019.
YouTube regjistroi 70 minuta, në rritje krahasuar me 67 minuta vitin e kaluar.
Edhe pse në vitin 2023, Netflix rriti çmimet dhe prezantoi një sistem të ri për fjalëkalimet mbeti gjithsesi transmetuesi i dytë më i përhapur në nivel botëror te fëmijët, me 40% të përdorimit të shërbimit.
YouTube renditet i pari, me 63% të fëmijëve që e përdorin dhe Disney+, i treti, me 20%. Netflix është i vetmi shërbim me pagesë që është rritur vit pas viti, ndërsa transmetuesit e tjerë janë ulur në përqindje, duke përfshirë Disney+, Amazon Prime Video dhe Hulu, ashtu si dhe shërbimi i livestreaming Twitch, që zbriti nga 11% të fëmijëve që e përdornin në 2022 në 8% në 2023.
Por orët e atyre që qëndruan në Tëitch këtë vit janë rritur, duke parë 16% më shumë livestreaming në nivel global, mesatarisht 22 minuta në ditë.
Pavarësisht shqetësimeve në rritje nga prindërit dhe ligjvënësit mbi dëmet e rrjeteve sociale, në vitin 2023, përdorimi i aplikacioneve të mediave sociale nga fëmijët ishte më i përhapur se kurrë më parë, për mirë apo për keq. TikTok mbetet aplikacioni më popullor në botë, i përdorur nga 44% e fëmijëve, ndërsa Facebook, duke dëshmuar fuqinë e tij të qëndrueshme, është aplikacioni i dytë më i përdorur, nga 38% e fëmijëve.
X i Elon Musk duket se është në lartësinë e mantrës që “asnjë media nuk është e keqe” – thotë Qustodio dhe ndryshimi i emrit të Twitter bëri që aplikacioni të përdorej nga 38% e të rinjve vitin e kaluar, krahasuar me 30% në vitin 2022.
(Por duket se edhe prindërit kanë marrë masa ndaj ndryshimeve të X, që është bërë shërbimi i tretë më i bllokuar në botë, pas TikTok dhe Instagram). Renditja e aplikacioneve më të përdorura në botë vijon me Reddit, Instagram dhe Pinterest, përkatësisht me 32%, 32% dhe 31% përdorim.
Renditja ndryshon disi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: TikTok ndiqet nga X, Facebook, Pinterest dhe në fund, Instagram.
Megjithatë, TikTok ka marrë më shumë kohë se rivalët e tij, me një përdorim mesatar prej 112 minutash në ditë në nivel botëror, krahasuar me 63 minuta të Instagram, 19 minuta të Facebook, 16 minuta të Pinterest, 10 minuta të X dhe 9 minuta të Reddit.
WhatsApp i Meta ruajti vendin e parë si aplikacioni i mesazheve më popullor në botë, i përdorur nga 37% e fëmijëve, përpara Snapchat (35%), Discord (31%), Messages (28%), Skype (21%) dhe Google Duo (13%).
Megjithatë, Snapchat është aplikacioni ku fëmijët kaluan më shumë kohë, mesatarisht 74 minuta në ditë, shumë përpara rivalit të tij më të afërt, Discord, me 27 minuta në ditë./monitor