Nga Malvina Tare
Familja shqiptare po përjeton krizën më të madhe të moralit, ndërgjegjes, fajësisë dhe pafajësisë. Të vrasësh nuk është e drejtë, nuk të bën më pak fajtor nëse je dhunuar. E të vrasësh atin tënd duhet të jetë shkalla më e lartë e ndjenjës së dhunës që kapërcen në krim. Dhuna e shtypur në vite, e përtypur nga të 5 familjarët, që shkërmoqi një familje.
Çfarë e çoi një vajzë apo djalë të ri drejt një krimi? Vrasjen e atit të tyre?
Unë nuk them se e ka çuar vetë i ati, e ka çuar e gjithë familja me ç’po kuptohet.
Familja s’ka bërë zë përpara vendimit të babait për martesë, e ndërsa kur gjëma ndodhi nuk kanë ditur se ku të futen. Sepse njeriu ndonjëherë aq mban themi ne. Një vajzë e re përleu duart me gjakun e babait të saj nga inati, mllefi dhe askush nuk e ndaloi. Askush nuk i dha një zgjidhje tjetër. Vdekja ishte zgjidhja?
Ne po vuajmë rëndë pasojat e disa mëndësive që ne vetë i kemi krijuar. Ne vuajmë çdo ditë pasojat e disa ligjeve të pashkruara më shumë se pasojat reale të vetë ligjit.
Ne ruajmë me fanatizëm një mentalitet të vdekur, që nuk i kemi parë ndonjë të mirë.
Familja është e vetmja e mirë që shqiptarëve u ka mbetur, në një botë që varfërohet gjithmonë e më shumë nga lindjet, pakësohet gjithmonë e më shumë shpresa dhe përgjegjësia për të sjellë një jetë të re. Shqipëria ende ka njerëz që duan familjen, duan fëmijë, sakrifikojnë për pasardhësit e tyre. Kjo është një vlerë që duhet të na identifikojë dhe duhet ta ndihmojmë.
Duhet ta ndihmojmë familjen shqiptare që të mos përvuaj më dramën e saj. Të dalë nga dyert e hekurta të mentalitetit të prapambetur.
Ky model babai është në shumë familje shqiptare dhe shumë e shumë familje i mbajnë në mes tyre këta njerëz, i durojnë me vite të tëra. Ua durojnë dhunën, inatin, alkoolin, britmat dhe nuk bëjnë zë.
Baballarët dhe meshkujt shqiptarë duhet të mbledhin mendjen se kësaj jete nuk ia dalin dot vetëm. E në mos kësaj jete ata nuk kanë për të shkuar larg.
Të gjithë në lagje folën mirë për Pëllumb Metën, të cilin e vranë fëmijët e tij. Ndonjëherë burrat shqiptarë janë më të mirë nga ç’duhet për të tjerët dhe më shtrëngues e detyrues në familjet e tyre.
Vajzat punojnë në Shqipëri më shumë nga djemtë, vajzat shkollohen, sakrifikohen, punojnë më shumë, kërkojnë gjithmonë e më shumë nga vetja. E ndërsa djemtë e burrat sa i takon këtyre mbeten në klasë. Dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje për t’u përmirësuar.
E megjithatë asgjë nga këto nuk e përligj krimin. Vajzat apo djemtë nëse janë të mprehtë të luftojnë me veten dhe jetën ta krijojnë diku tjetër jo në të njëjtën çati me dhunuesin.
Ky është një krim me shumë fajtorë, një vdiq e disa u burgosën, një familje humbi.
Institucionet, psikologët, sociologët, mediat duhet ta ndihmojnë familjen shqiptare, ta këshillojnë, ta nxjerrin nga përbaltja.
Për familjen! Është e vetmja pasuri që kemi.