Nga Lira Gjika
Është shumë e lehtë të thuash dhe të pretendosh që rritja e fëmijëve duhet të realizohet nëpërmjet përgjegjësisë dhe vullnetit, ku detyra nuk është më bezdi, por zgjedhje. Vërtet, është e drejtë të pretendohet, por nuk duhet të harrojmë traditën tonë që e quan rritjen e fëmijës sakrificë dhe lodhje. Kujtoni shprehjet “sa më ka lodhur ky fëmije” apo “ky fëmijë më nxiu jetën” etj.
Nëna është njeri dhe ajo si të gjithë njerëzit lodhet aq më tepër në një kulturë si e jona. Shkencëtarët shprehen se, një nënë e lodhur nuk mund ta edukojë fëmijën nëpërmjet qetësisë, butësisë apo përgjegjësisë, në qoftë se ajo nuk i ka të jetuara në fëmijërinë e saj. Lodhja vepron nëpërmjet pavetëdijes, aktivizon ato struktura që as ne nuk e dimë që i kemi. Ajo aktivizon strukturat që pengojnë të menduarin dhe përzgjedhjen. Një nënë e lodhur nuk është e lodhur nga fëmija i saj por nga konfuzioni brenda vetes, mënyrën e saj të të rriturit dhe dëshirën e saj për të qenë nënë sa më e mirë.
Ky pështjellim brenda vetes e lodh atë dhe shpeshherë e bën të dojë dhe të jetë e paduruar. Për të zbutur këtë lodhje të nënës dhe për të fuqizuar marrëdhënien nënë- fëmijë, një rol të veçantë luan babai. Ai merr fëmijën kur sheh se gruaja e tij dhe nëna e fëmijës së tij ndihet e lodhur apo ka humbur durimin. Të dy bashkë, mund t’ia dalin shumë më mirë se çdo kush tjetër. Edhe pse sot ka baballarë të rinj që janë prezent në jetën e fëmijës që në lindje dhe krah gruas dhe nënës së fëmijës së tij, ende pjesa më e madhe e baballarëve janë të pa përfshirë, edhe ata për shkak të traditës tonë, që babain e la jashtë rritjes së fëmijës. Një baba pranë fëmijës që në lindje bëhet pjesë aktive e këtij procesi që është rritja dhe edukimi i një jete të re, fëmijës së tyre.
Gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm kanë personeli i këshillimoreve të gruas dhe fëmijës, pa harruar gjyshet e fëmijëve. Ato duhet që ta ndihmojnë nënën e re duke e inkurajuar që ajo çdo gjë ta realizojë vet dhe së bashku me babanë e fëmijës, duke i treguar dhe nxitur se edhe ajo si nënë është po aq ditë apo javë sa është dhe fëmija i saj dhe të dy po rriten bashkë, fëmija drejt rritjes si njeri ndërsa nëna në mëmësinë e saj./hej.al