Nga Malvina Tare
Prej muajsh në Shqipëri vazhdojnë lajmet për vrasje nga TikToku, për sherre verbale, dhunë online dhe konflikte të llojeve shantazhuese, të cilat përfundojnë me jetë të humbura.
Një djalë 19-vjeçar humbi jetën pa e nisur ende, ditën e djeshme në Fier, pas një like në rrjete sociale. Kjo është një situatë alarmi që për një vend të vogël sa Shqipëria ndikimet janë vdekjeprurëse, duke kërkuar një vëzhgim të hollësishëm të gjithë panoramës që shoqëron ditët e jetët tona në këtë vend.
Sociologët e psikologët flasin në ekrane të njohura sapo të tilla drama ndodhin, japin këshilla, mësime, fjalë me rëndësi, por të padobishme kur vjen puna tek ndikimi i situatave të ngjashme në vazhdim. Edhe vetë Mark Zukerberg kur ishte duke krijuar Facebook nuk e dinte se ku do shkonte platforma që ai nisi të krikojë në një dhomë konvikti, por që për shumë pak kohë dehu mendjet e miliona njerëzve.
Por sot në Shqipëri interneti po pasohet me vdekje. A mos duhet të shohim dhe të korrigjojmë mënyrën si ju flasim adoleshentëve sot? Në Shqipëri të gjithë zgjohen me nerva dhe të paktë janë ata që e nisin ditën me pozitivitet, e ndërkaq edhe më të paktë bëhen kur fiksohen se dikush ju ka rënë në qafë në Facebook a TikTok në mbrëmje përpara se të flinin gjumë.
Kanë nisur të diskutojnë në biseda verbale bisedat virtuale. Po ngatërrojnë verbalen me virtualen.
A mund t’ju themi sot adoleshentëve në një mënyrë të kuptueshme se jeta e tyre vlen më shumë se një sherr në TikTok, se disa komente në Facebook, apo se të tjera sherre banale që lindin nga përditshmëria dhe komunikimi i gabuar, që degjeneron menjëherë në dhunë?
Shqipëria ka kaluar një tranzicion të gjatë politik, i cili përgjatë është përgjakur me dhunë e krime, e përveç ndikimit politik, këto kanë pasur ndikimin e tyre të heshtur sociologjik, psilologjik, i cili shpërthen herë pas here në drejtime që ne as nuk e presim. Një inat, dhunë e brumosur në breza që tani duket sikur ka gjetur një terren të ri dhe shfryhet në internet.
Në Shqipëri nuk ka vende se ku të prodhohet energji pozitive për adoleshentët. Nuk ka ekipe futbolli a basketbolli me shumicë, nuk ka organizime kulturore, apo krijuese për të vjelë energjinë më buruese që e gjen te 17-vjeçarët e sotëm. Ata prindër që dërgojnë fëmijët e tyre në sport, janë të detyruar të paguajnë shumë, e ndërsa të tjerët në pamundësi ia kanë dorëzuar fëmijët internetit dhe klikimeve, që iu nxjerr anën e tyre më të keqe, duke e bluar energjinë e tyre në vogëlsira dhe banalitete, që shpesh u kushtojnë edhe jetën. Fëmijët dhe adoleshentët e kanë humbur fuqinë për tu organizuar në lojëra të lirë, përpara internetiti dhe elektronikës.
Pra, duhet të mësojmë shpejt si të shpëtojmë fëmijët tanë të gjallë nga rrjetet sociale. /hej.al