Data 14 mars shënon në Shqipëri Ditën e Verës, një festë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, pavarësisht fesë, apo krahinës. Dita e Verës e ka origjinën në Greqinë e Lashtë, kur stërgjyshërit tanë që kanë banuar në këto zona ishin paganë.
Dita e verës festohet në mars, në hyrje të pranverës, pak para ekuinoksit pranveror me 20 mars.
Në ekuinoksin pranveror, pas një dimri me netët më të gjata se ditët, nata e dita barazohen, për t’i dhënë, që prej asaj dite, pushtet diellit. Kështu, dita zgjatet, moti zbutet, dhe shkohet drejt stinës së nxehtë të verës.
Në antikitet, gjatë kësaj feste i bëheshin nderime perëndeshës Artemisë, ose Dianës latine, për të sjellë begati. Artemisa ishte perëndesha e gjuetisë, e natyrës dhe pyjeve.
Faik Konica e përshkruan Ditën e Verës si festën kur pas një dimri të gjatë, njeriu fillon të ndiejë sërish lumturi e gjallëri.
“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikture të Botticellit, zemra e njeriut çngarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës”, shkruan Konica.
Festat Pagane
Në antikitet njerëzit ishin drejtpërdrejt të varur nga ciklet e natyrës dhe më vigjilentë ndaj ndryshimeve të saj. Kështu, festat pagane janë të gjitha të lidhura me ciklet e natyrës, gjatë të cilave njerëzit kryejnë rituale për të mirëpritur ndryshimin e stinëve, për të mbjella të mira, të korra të bollshme e dimër të mbarë.
Por, ceremonitë pagane veç funksioneve që lidhen me mbijetesën dhe ushqyerjen e njerëzve, kishin edhe funksione të tjera të aspektit psikologjik, pasi ciklet e natyrës ndikojnë edhe në mirëqenien emocionale të njeriut.
Ritualet pagane bëheshin në nder të perëndive të antikitetit, diellit dhe elementeve të natyrës.
Shumë prej festave pagane morën trajtën e festave fetare pas ardhjes së monoteizmit në Mesdhe, e të tjera u zhdukën. Por disa prej tyre, si Dita e Verës, vijojnë të përcillën brez pas brezi.
Pse Dita e Verës?
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit Romak. Kalendari Romak – përpara se reformohej nga Jul Çezari, që do të quhej më pas, Kalendari Julian – e fillonte ciklin bashkë me natyrën, ku muaji i parë i vitit është muaji i parë i pranverës, atëherë kur natyra fillon të ringjallet.
Marsi, si muaji që sjell pranverën, bart në vete farën e stinës së verës, ardhjen e të cilës qytetarët e festojnë që prej lindjes.
Kështu, qytetarët kryejnë rituale të ndryshme për të dalë nga stina e errët e dimrit, për të larguar “të keqën”, e për të kërkuar reshje gjatë pranverës për të korra të bollshme.
Si festohet Dita e Verës?
Në shumë zona të Shqipërisë gjatë kësaj dite mblidhen lule, të cilat vendosen nëpër dyert e shtëpive për të sjellë mbarësi.
Lulet përdoren gjithashtu edhe për të larë fytyrën, ku përzihen me ujin. Ky ritual simbolizon purifikimin, që pastron njeriun duke e përgatitur për ciklin e ri të natyrës.
Jo vetëm shtëpitë, por edhe sheshet e qyteteve dhe fshatrave zbukurohen me lule shumëngjyrëshe për Ditën e Verës.
Festimet e kësaj ditë në Verilindje, e kryesisht në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i çojnë në fshatra, për të formuar mullarë. Këta mullarë vendosen në pikat më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë për të qenë i dukshëm nga fshatrat përreth.
Në shumë zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre më të vegjël, sipër të cilëve kapërcejnë kryesisht të rinjtë.
Për Ditën e Verës zbukurohen vezët me të kuqe, një traditë kjo e përdorur më pas edhe nga të krishterët për festën e Pashkëve.
Epiqendra e kësaj feste është Shqipëria e Mesme, e kryesisht Elbasani, i cili ka edhe një ëmbëlsirë karakteristike për Ditën e Verës, ballokumen.
Në fshatin Nartë të Elbasanit organizohen karnavale që zgjasin 3 ditë e 3 net, për të mirëpritur pranverën.
Kjo festë është shumë e lidhur me natyrën, ku qytetarët shkojnë drejt ambienteve të gjelbra për të bërë piknik, e për të kaluar një pjesë të ditës. Në qytetet që kanë kala të ngritura në kodra, si në Lezhë, qytetarët shkojnë atje që herët në mëngjes, për të kaluar pothuajse gjithë ditën.
Një tjetër traditë e ditës së verës është “verorja”, një byzylyk i formuar prej një fijeje të kuqe e një fijeje të bardhë. Kur dikush sheh dallëndyshen e parë, atëherë e heq veroren dhe e hedh në një shkurre “që dallëndyshja ta marrë për të ndërtuar folenë”.
Dita e “Verëzës” quhet kjo festë në Prizren, në Jug të Kosovës, sipas një tradite të lashtë, të ngjashme me Ditën e Verës. Pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para, vallëzimi e këndimi, ndezja e zjarreve dhe gatimet karakteristike me miell misri e gruri, të cilat kanë ngjashmëri me ballokumet e Elbasanit.
Dita e verës është ndër festat më të gëzueshme shqiptare, ku gjallërimi i natyrës pas dimrit të ftohtë ndikon edhe në emocionet e njerëzve./hej.al