Nëse jeni të fiksuar pas toneve të guximshme, me siguri që tendenca e fundit që ka lidhje me arredimin e brendshëm dhe që po qarkullon bindshëm në TikTok, ka shumë shanse që t’ju tërheq edhe juve.
Ndryshe quhet “e kuqja e papritur” dhe si trend është përhapur për herë të parë nga arkitektja Taylor Migliazzo Simon. Në një video virale të TikTok që ka mbledhur pothuajse një milion shikime, Simon e përkufizon konceptin si “shtim të çdo gjëje që është e kuqe, e madhe apo e vogël, në një dhomë që nuk ka lidhje me këtë nuancë, por që sërish ka fuqinë të transformojë ambientin”.
Një llambë e kuqe, një lavaman në të njëjtën ngjyrë, një karrige druri e lyer me tonet e së kuqes, një detaj i tillë në arredimin e shtëpisë dhe hapësirave tuaja të brendshme ka fuqinë që të tërheqë menjëherë vëmendjen.
Pse kjo teori po bëhet virale?
Buzëkuq në tonet e së kuqes së theksuar, makinë në të njëjtën ngjyrë, një kostum i kuq, të gjitha janë shkëndijë për më shumë vëmendje. Në një botë të dominuar nga ambientet me ngjyra neutrale, njerëzit priren të jenë më të distancuar nga qasja maksimaliste që shkon drejt këtyre ngjyrave të ndezura. Por, kohët e fundit duket se njerëzit po ndihen rehat në thyerjen e rregullave, duke shtuar ngjyra energjike, që janë njëherësh edhe tregues të personalitetin të të zotëve të shtëpisë dhe jo vetëm.
Si të shtoni pak të kuqe të papritur në shtëpinë tuaj?
A është teoria e të kuqes së papritur kaq e lehtë për t’u materializuar në hapësirat e brendshme? Në fakt, jo dhe aq! Është shumë e rëndësishme që të flisni me profesionistë për të aplikuar këtë nuancë në lyerje, në objekte, suvenire të ndryshme apo mobilje. Kjo ngjyrë është kaq stimuluese, por mund të kthehet në makth nëse nuk ka strategji.
Profesionistët e interior dizajnit thonë se ta filloni me gjëra të vogla, nëse jeni të frikësuar nga e kuqja. Mund të jetë një lule, një karrige me tonet e së kuqes, një vepër arti, një kornizë për fotografinë e preferuar…Si fillim, niseni me të tilla gjëra e nëse ndiheni komodë vazhdoni të shtoni dozën e së kuqes për ta kthyer këtë në një terapi jo vetëm për veten dhe personat me të cilët ndani shtëpinë apo ambientet tuaja, por edhe si një hap të guximshëm për më shumë ndryshime në stilin e arredimit të brendshëm./hej.al