Pyesni këdo që është beqar dhe ata do kenë një përgjigje: Bota e takimeve po bëhet gjithnjë e më dinamike dhe e vështirë. Por, terapistja Elinor Greenberg ka një teori që thotë se funksionon nëse jeni në kërkim të partnerit/es së re. Ndryshe quhet “teoria e divanit” dhe në thelb të kësaj teorie është fakti që ju duhet t’i qaseni gjetjes së dikujt në të njëjtën mënyrë siç veproni kur blini një divan të ri.
Ja pesë rregullat themelore që kjo teori të funksionojë:
#1 Për të gjetur një divan, ju shkoni në vendet ku shiten divane
Nëse nuk keni një divan dhe momentalisht uleni në dysheme, prisni që shtëpia t’ju gjejë një divan? Në fakt, jo! Në mënyrë të ngjashme duhet të veproni edhe kur jeni në kërkim të një lidhjeje të re. Ju nuk prisni që të vijë divani dhe t’ju gjejë juve, por shkoni në dyqanet ku ato shiten. Kjo do të thotë se edhe për të gjetur një partner/e të ri/re duhet të frekuentoni vendet ku mund të takoni personin ideal, si një bar, restorant, club etj.
#2 Nëse nuk keni gjetur ende divanin që ju pëlqen, ju shkoni në dyqane të tjera derisa të gjeni modelin e preferuar
Nëse në fillim nuk keni sukses në blerjet e divaneve dhe takimet, provoni përsëri. Vetëm për shkak se nuk takoni menjëherë dikë me të cilin dëshironi të filloni një lidhje, nuk do të thotë që duhet t’i jepni fund kërkimit. Nëse doni të jeni me dikë, vazhdoni të kërkoni derisa ta gjeni.
#3 Mos u shqetësoni nëse ndiheni keq
Kur hyni në një dyqan divanesh, nuk ka gjasa të ndiheni keq që nuk keni tashmë një divan. Pse duhet të ndiheni të turpëruar të pranoni se nuk keni një bashkëshort/e? Mos lejoni që frika apo sikleti nga refuzimi t’ju ndalojë të jeni në një marrëdhënie.
#4 Zgjidhni njerëz të përshtatshëm për të pyetur
Sipas terapistes Greenberg, me siguri që ju nuk shkoni në dyqane ku nuk përballoni dot çmimet. Njësoj edhe në një romancë, ju duhet të jeni realistë se me kë mendoni të dilni.
#5 Luani me pikat tuaja të forta
Një këshillë për beqarët: Kërkoni partnerë që përshtaten me stilin tuaj të jetesës! Mos frekuentoni vende ku e dini se do të gjeni një partner/e që pëlqen jetën e natës apo restorantet luksoze, në një kohë kur këto zgjedhje nuk janë mënyra juaj e jetesës. Një miqësi e përbashkët, një i njohur i kushëririt/ës, një koleg/e, të gjitha mund të jenë alternativa të mira për të gjetur personin e jetës./hej.al