Emil Agolli, nipi i Dritëro Agollit në Dritare Tv rrëfeu arsyen se pse poeti i njohur u detyrua të ndahej nga djali i tij i parë, dhe gruaja ruse pas 8 vitesh martesë.
Emili tregon se Dritëroi është njohur me bashkëshorten e tij të parë në Rusi kur ishte student dhe për disa vite ata jetuan në Shqipëri, ku nga kjo histori dashurie erdhi në jetë edhe djali. Po ashtu Emili rrëfen se pas largimit të ish-gruas në Rusi, poeti nuk është takuar për 30 vite me djalin, edhe pse për vite të tëra ky i fundit dërgoi letra që nuk morën përgjigje kurrë, pasi sistemi e pengonte Dritëroin që t’i përgjigjej.
“Gjyshi kur shkoi për studime në Rusi, në Shën Peterburg për studime u dashurua si një djalë i ri që ishte, dhe u martua me një grua ruse. Erdhën në Shqipëri dhe gruaja ruse u bë mësuese e gjuhës shqipe. Lindën një fëmijë dhe djali i parë i gjyshit ka qenë deri në moshën 6-7 vjeçare në Shqipëri, më pas u prishën marrëdhëniet me Rusinë në atë kohë dhe u detyruan që të ndaheshin. U detyruan ose të largoheshin në Rusi ose të ndaheshin.
Gruaja u detyrua të largohej pasi ishte ruse. Me vete mori edhe djalin. Djali i shkruante vazhdimisht letra, gjyshi i lexonte por nuk i lejohej që t’i kthente përgjigje. Për 30 vite letra të shkruara nga djali i tij dhe pa përgjigje, pasi nuk mund t’i kthente mbrapsht letrat. Janë takuar pas 30 vitesh, kur gjyshi pati mundësinë të shkonte me delegacion në Rusi. Janë takuar disa herë. Po ashtu dhe babai im ka shkuar disa herë pasi dhe ai ka dashur të krijojë jetën e tij. Doli jashtë, bëri shëtitjet e veta dhe u kthye prapë në Shqipëri, që u hap pastaj dhe libraria dhe lokali. Fatkeqësisht djali i gjyshit u nda herët nga jeta si pasojë e një sëmundje, kancer në mushkëri dhe nuk ia doli të jetonte një jetë të gjatë. Gjyshi e ka pasur një lloj pengu që e la djalin të vetëm në Rusi, pa një baba”, tregoi Emili./M.K-dritare.net