Ali Oseku, piktori i njohur shqiptar, është ndarë nga jeta, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Prej 50 vitesh ai kontribuoi në artin pamor shqiptar dhe mbetet një prej artistëve më të rëndësishëm të kësaj gjinie artistike. Pikturat e tij shquheshin nga kombinime ngjyrash dhe portrete interesante, të cilat janë një trashëgimi për artin e vendit tonë.
Oseku lindi në Tiranë, më 25 shkurt 1944. Familja e tij ishte me origjinë nga Gjakova. Në vitin 1963, mbaroi Liceun Artistik, “Jordan Misja” në Tiranë dhe më pas, në vitin 1969, studimet e larta për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve. Ai u emërua skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, por në vitin 1973, pikturat e tij u cilësuan si “moderne” dhe u transferua për riedukim në Elbasan.
Në vitin 1975, u dënua me burg dhe doli 4 vite më vonë, ku punoi si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit komunist. Në ’91-shin, iu rikthye krijimtarisë dhe pikturës, si kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve, më pas pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura.