A e keni kapur ndonjëherë veten “mat” duke vrapuar për të dalë nga dera e shtëpisë, ndërkohë që përtypni kafshatat e ushqimit në mëngjes? Por, ndodh edhe që stomaku nuk ju jep asnjë sinjal urie dhe ju rrini pa ngrënë deri pasdite kur ktheheni nga puna. Nëse anashkalimi i mëngjesit është kthyer në një rutinë për ju, sepse thjesht nuk jeni të uritur, ekspertët e shëndetit thonë se ndoshta ky është një problem që ka lidhje me shëndetin tuaj.
Shkaqet e shmangies së mëngjesit
Nutricionisti @VictorGenty hedh dritë mbi këtë dukuri, përmes një postimi në TikTok, ku shprehet se ankthi dhe stresi nuk dëmtojnë vetëm paqen tuaj mendore, por edhe urinë e mëngjesit. Nëse jeni të nevrikosur, oreksi kalon në plan të dytë për nga rëndësia, sidomos në mëngjes. Por, jo vetëm kaq! Dietat kufizuese apo rutina e çrregullt e të ngrënit në darkë vonë, mund të jenë sinjale që ju bëjnë të hiqni dorë nga ushqimi në mëngjes.
Shmangia e mëngjesit mund të duket si diçka normale, por ky zakon mund të kthehet në një rutinë kërcënuese për shëndetin. Pa karburantin dhe energjinë e ngrënies së mëngjesit, trupi juaj funksionon si “në ajër” gjatë ditës dhe kjo përkthehet në një rënie të energjisë dhe nerva të tendosura.
Përtej kësaj, nëse mendoni se do të humbni peshë duke hequr dorë nga vakti i mëngjesit, ju thjesht po “minoni” standardet e uljes së kilogramëve. Uria kthehet në mesditë dhe me shumë mundësi ju jeni gati të hani gjithçka që ju del para vetëm që të mbushni zbraztinë në stomak që vjen nga mosngrënia e mëngjesit.
Pra, keni një listë me arsye, nga ato të aspektit mendor tek ato fizike për të kuptuar rëndësinë e madhe që ka mëngjesi nësi ai konsumohet çdo ditë dhe në mënyrën e duhur!/hej.al