Nga ZAK GARNER-PURKIS/Express
I famshmi i TikTok-ut, Kozak Braci fitoi një popullaritet të madh në rrjetet sociale duke mbështetur kriminalitetin në Mbretërinë e Bashkuar, pasi promovon mënyra për të udhëtuar ilegalisht në Britani, shkruan media britanike Express. Braci i cili numëron mbi një milion fansa në TikTok dhe Instagram, promovon për ndjekësit e tij në rrjet, fermat e kanabisit, ndërsa audienca e tij rritet. Në video të siguruara nga Express, Braci shpjegon se si punonjësit e drogës për bandat kriminale mund të fitojnë 5000 deri në 6000 paund në muaj.
“Është bukur të qëndrosh në shtëpinë e kanabisit. Mund të jetoj atje pa problem”, shprehet ai në video live në TikTok.
Në një video tjetër, Braci shpjegon se si emigrantët shqiptarë mund të përdorin një aeroport spanjoll për të udhëtuar ilegalisht drejt Britanisë, duke u fshehur në një kamion. Të rinj të shumtë shqiptarë kanë thënë për Express se ndikimi që Braci, i cili në Shqipëri njihet si ‘Mbreti i Instagramit ’, është masiv. Danila Buci, një studente 21-vjeçare nga Tirana, tha se kishte parë të rinj që kopjonin sjelljen e tij prej vitesh.
“Motra ime është vetëm 16-vjeçe dhe po sheh njerëz [si Braci] që po bëjnë këto gjëra mafioze. Ky është lloji i ndikimit të tyre”.
Ne gjurmuam Bracin në një bllok banesash të epokës komuniste në Tiranë, ku ai jeton ende për ta pyetur se pse i kishte bërë këto video që promovonin një mënyrë jetese kriminale në Britani. Ai pretendoi se videot për shtëpitë e barit, ishin të paplanifikuara dhe se ai kishte ndaluar së bëri këto lloj videosh.
“Në fillim pranova shumë kërkesa nga njerëz që donin të bashkoheshin me transmetimet e mia të drejtpërdrejta. Si duhet ta di unë?” pyeti ai.
Kozak, i cili gjithashtu pretendonte se fitonte 25,000 £ në muaj nga statusi i tij i famshëm në mediat sociale, këmbënguli se videot e tij për drogën në Mbretërinë e Bashkuar ishin të papëlqyeshme dhe se atij nuk i pëlqenin më ato transmetime.
Braci pretendoi se nuk miratonte një mënyrë jetese kriminale dhe sugjeroi se ata që kishin shkuar për të punuar në fermat britanike të drogës e bënin këtë për shkak të një jete të mbushur me vështirësi.
“Ata shkojnë atje pasi kanë një jetë plot borxhe, probleme, madje edhe mungesë të gjërave elementare si ushqimi. Ata shkojnë në shtëpi bari sepse kjo është e vetmja mundësi për disa,” tha ai.
Në fund të intervistës, Kozak u nervozua dhe kërkoi që të hiqnim diskutimet për shtëpitë e barit.
“Jam i shqetësuar, nuk dua telashe me policinë. Në atë kohë nuk isha i famshëm. Ishin ditët e para të llogarisë sime në Instagram dhe numri i audiencës ishte rreth 100”, tha ai.
Alexandros K. Antoniou, një ekspert në ligjin e mediave sociale tha se ishte e habitshme që Instagram jo vetëm që e kishte lënë Kozakun të shpërndante këtë lloj përmbajtjeje, por i mundësoi atij të bëhej i famshëm në këtë platformë. Kur Express pyeti kompaninë Meta, pronarët nuk dhanë asnjë shpjegim se pse i kishin mundësuar Bracit të bëhej kaq popullor. Meta gjithashtu nuk mori asnjë veprim të dukshëm kundër llogarisë së tij.
Në një deklaratë të përgjithshme një zëdhënës i Meta tha:
“Blerja, shitja apo kërkimi i drogës nuk lejohet në platformat tona; ekipet tona përdorin një përzierje teknologjie dhe rishikimi njerëzor për ta hequr këtë përmbajtje sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne punojmë me policinë dhe organizatat rinore për t’u përmirësuar në zbulim. Ne kemi punuar gjithashtu me ekspertë të industrisë për të trajtuar çështjen e kontrabandës së njerëzve për disa vite dhe kur gjejmë përmbajtje që koordinon këtë aktivitet të paligjshëm, ne e heqim atë nga platformat tona”.
TikTok gjithashtu nuk e penalizoi Kozak duke deklaruar: “Ne vazhdojmë të mbajmë rreptësisht një qasje me tolerancë zero ndaj shfrytëzimit njerëzor dhe gjejmë në mënyrë proaktive mbi 95% të përmbajtjes që heqim për shkeljen e këtyre rregullave”./hej.al