Nga Rita Petro
Nëna, në këtë botë fëmijët e kanë radhën të ikin pas jush e jo bashkë me ju. Përjashtim bën vetëm vullneti i Zotit, po kurrë vullneti juaj.
Nëna, mos e lejoni kurrë hakmarrjen të bëhet më e fortë se dashuria dhe përgjegjësia ndaj fëmijëve! Mos i përdorni fëmijët kundër një lidhjeje martesore të dështuar, i kujtdo qoftë faji!
Mos i mallkoni kurrë fëmijët tuaj, nëse i ngjajnë racës së babait, vetëm e vetëm se e urreni babanë e tyre! Mos u shndërroni në nëna hakmarrëse si Medea e antikitetit grek, që vrau fëmijët e saj për të dënuar të shoqin.
E dimë që shpesh bota mashkullore është e egër, arrogante, e dhunshme. Dhe ju takon nga VIKTIMA në sytë e fëmijëve, të bëheni nëna HEROINA, duke i mbrojtur fëmijët qoftë dhe me jetën tuaj.
Edhe Rozafa kërkoi vazhdimin e jetës së birit të saj, pasi ta murosnin.
U prehshin në paqe viktimat e kësaj bote të dhunshme! U bëfshin ëngjëj fluturues fëmijët që u ndërpritet jeta pa e filluar akoma!