Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan rreth 10,2 milionë shtetas të huaj sipas të dhënave të INSTAT, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë vlerësohet se turistët e huaj shpenzuan gjithsej rreth 4,2 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2023. Shpenzimet e turistëve të huaj u rritën me 47% krahasuar me vitin 2022.
Mesatarisht shpenzimet e turistëve llogariten rreth 412 euro për person. Mbështetur te kjo e dhënë, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja:
turisti i huaj që frekuenton vendin nuk mund të cilësohet as shpenzues i një buxheti mesatar.
Mbështetur te lloji i restoranteve që parapëlqehet apo frekuentohet nga turistët e huaj Jahja thotë që më tepër zgjedhin strukturat ku ofrohet ushqim zgare, kryesisht qofte dhe gatime tradicionale shqiptare për shkak të çmimeve ekonomike.
“Mbështetur tek e dhëna e shpenzimeve për person që llogariten rreth 420 euro, rezulton se në Shqipëri ka ardhur turisti i kategorisë C, pra turist “cheap” që harxhon më pak sesa harxhon një shqiptar kur frekuenton në muajt e verës resortin më të lirë në Turqi”, pohon Enri Jahja nga shoqata e Bareve dhe Restoranteve.
Konsumi final i popullatës në vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT, është 1,290 trilionë lekë, apo rreth 12 mld euro (e llogaritur me kursin mesatar të monedhës euro për vitin 2023 me vlerë 108 lekë). Konsumi i turistëve të huaj gjatë muajve të verës zë 35% të konsumit vjetor të popullatës vendase.
Pavarësisht shpenzimeve në rritje të turistëve (që u rritën 47% krahasuar me 2022) konsumi final i popullatës gjatë vitit 2023 është rritur rreth 3% në raport me një vit më parë.
Te rritja e lehtë e konsumit final të popullatës ka ndikuar edhe largimi në emigrim, veçanërisht të rinjve që përbëjnë peshën kryesore të konsumatorëve.
Në anën tjetër, edhe shpenzimet e shtetasve shqiptarë për udhëtime jashtë vendit u rritën me ritme të shpejta.
Banka e Shqipërisë i vlerëson këto shpenzime në vlerën e 2,3 miliardë eurove, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë. Mesatarisht, shpenzimet e shqiptarëve jashtë llogariten rreth 332 euro për person.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, dolën jashtë 6,9 milionë shtetas shqiptarë. Krahasuar me 2022, numri i daljeve jashtë nga shqiptarët është rritur rreth 18%.
Ndërsa remitancat nga emigracioni në vitin 2023 ishin 929 milionë euro. Krahasuar me vitin 2022, remitancat u rritën me 11%./marrë nga monitor