Nëse e takoni Ingrid Martinin do e kuptoni menjëherë se keni të bëni me një arkitekte nga ato të klasit A. Jo vetëm se ka përvojë 20 vjeçare në tregun shqiptar, por se ka një stil të pa-imitueshëm. Ne të hej.al që kemi eksperiencë në këtë fushë e dallojmë menjëherë një punë të sajën. Është e mahnitshme se si arrin të përkthejë në komoditet çdo ‘tekë’ të klientëve. Çdo dëshirë estetike ka aftësinë ta kthej në funksionale. E kështu në fund Ingridi arrin në rezultate spektakolare. Projektet e Ingrid Martinit janë ‘lumturi”, janë “Hygge” (koncepti danez i lumturisë). Sapo i shikon arredimet e saj të përfunduara, duket sikur të zotët e shtëpisë kanë jetuar prej kohësh aty. Ajo di ti lexojë historitë e tyre, dëshirat dhe di të krijoj ekuilibrin që vetëm shtëpia mund të ta japë kur është e rehatshme.
Ingrid Martini: “Mua më pëlqen një miks stilesh dhe arredimesh që nuk i përkasin të njëjtës kohë dhe të njëjtave epoka. Më pëlqen mënyra se si mobiliet e mia kompensojnë njëra-tjetrën. Personalisht parapëlqej arredimin me detaje. Këtë gjë e kam bërë pa kufizim në shtëpinë time. Këtu nuk kam nevojë të ndjek këshilla në mënyrën se si i perceptoj gjërat”.
Ingridi di të krijoj projekte dizajni me pak dhe shumë para. “Sfida e një arkitekti”, mbaj mend të më ketë thënë një herë në një bisedë, është kur “ai ka një ambient të vogël, dhe nuk ka shumë para për të shpenzuar”. Aty më duhet të mendoj se si “të jetohet gjerë në një hapësirë të ngushtë”.
Unë kam parë shumë projekte të Ingrid Martinit dhe në shumë prej tyre jam mahnitur, pasi ajo di të krijojë histori me dizajnin.
Objektet që Ingridi zgjedh japin emocion. Duket sikur kanë ekzistuar në shtëpi prej shekujsh dhe janë bërë pjesë e një arkitekture që nuk njeh as kohë, e as vend. Harmonizohen më së miri me ambientin, materialet dhe gamën e ngjyrave përreth.
Kjo vilë që ju prezantojmë sot është një shtëpi plazhi e projektuar nga Ingrid Martini. Shijoni imazhet dhe do të na jepni të drejtë për përzgjedhjen.
Ingrid Martini: “Koncepti i shtëpisë për secilin nga ne është relativ. Ajo çka na bën të ndihemi në shtëpi është fryt i dëshirave tona, pasioneve, imagjinatës, udhëtimeve që bëjmë, kujtimeve që mbartim, gjurmëve që duam të lëmë. Shumë apo pak një shtëpi gjithmonë na përfaqëson”.
L.C.Hej.al
©Copyright Hej.al
Ky artikull është ekskluziv i Hej, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm me miratimin me shkrim të editorit të Hej. Çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.