Raportimi në kohë lufte sfidon punën e një gazetari dhe vështirësitë në terren janë të panumërta. Gazetarja Mirela Oktrova, në studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH ka rrëfyer momentet e vështira të përjetuara nga lufta në Kosovë, në vitin 1999. Ajo risjellë në vëmendje hyrjen në Kosovë, por ndryshe nga çdo të mendoni, Oktrovës iu desh ta kalonte kufirin brenda një tanku britanik, për shkak se nuk kishte pasaportë perëndimore.
“Unë kam pritur hyrjen e trupave në Bllacë që të hynte njësia e parë e xhenierëve gurki në Kosovë, kam përjetuar në Bllacë planin e mësymjes për shkak të zbarkimit të parashutistëve rusë të cilët morën Aeroportin e Prishtinës. Unë isha pjesë e një misioni tjetër të qeverisë gjermane për evakuimin e 15 mijë të shpërngulurve nga Kosova për në Gjermani dhe brenda këtij misioni bërja edhe reporteren e luftës. Duke qenë se unë isha e vetmja nga grupi që nuk kisha pasaportë perëndimore, por shqiptare, u desh të hyja në mënyrë tjetër, nuk e kaloja dot kufirin siç e kaloi i gjithë misioni në këmbë dhe u gjet mënyra që të hyja me njërin prej tankeve britanike”, rrëfen ajo.
Duke e konsideruar një moment të jashtëzakonshëm hyrjen në Kosovë dhe duke mos i fshehur emocionet, Oktrova tregon edhe tronditjen që pësoi prej pamjeve që u shfaqën para syve të saj.
“Është një moment i jashtëzakonshëm, jam reporterja e parë që kam hyrë në Kosovë dhe ajo që më ka bërë përshtypje në përballjen e parë kanë qenë majtas makinat e braktisura nga njerëzit që kishin kaluar kufirin. Ishte një parkim pafund në Bllacë, si një shkretëtirë jetësh. Pyetja e parë automatike që më erdhi është: ku janë këta njerëz? Jetojnë, kanë arritur të shpëtojnë? E dyta ishte mungesa e oficerëve serbë të kufirit, por sapo hyje pak më brenda i shihje që dilnin, pra qetësia ishte e rreme. Kur hyje më në brendësi kishe nevojë për orientim sepse toka ishte e minuar”, shprehet ajo.
Si moment kulmor të atyre viteve, gazetarja tregon ngritjen e flamurit shqiptar dhe uljen e atij jugosllav, që u shoqërua edhe me një “incident” të vogël.
“Momenti kulmor është ulja e flamurit jugosllav dhe ngritja e atij shqiptar. Aty ishte UÇK dhe bënë ngritjen solemne të flamurit. Flamurin pa dashje e ngritën me kokë poshtë dhe unë që e vura re në moment, mendova t’iu them që e kemi mbrapsht?! Pastaj mendova që nuk do ju them sepse gjithë ky emocion do shkonte dëm”, tha Oktrova në “Jetë Shqiptare”.