Shija e saj na ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Kujtimet më të bukura kanë aromën e saj. Bëhet fjalë për vaniljen. Mund të tingëllojë e rëndomtë por vanilja është shija më klasike në botë, e cila nuk shërben thjesht për zbukurim apo për shije ekstra.
Këtë të shtunë emisioni Livingroom nga Brunilda Lahe në VizionPlus foli pikërisht për vaniljen.
Specialistja e kuzhinës, znj.Tefta u shpreh se vanilja është aroma më ndjellëse dhe është mbretëresha e kuzhinës. Ekstrakti i vaniljes përbëhet kryesisht nga sheqernat komplekse, vajrat esencialë, minerale dhe vitamina.
Evjola Daka eksperte në fushën e bukurisë, u shpreh se vanilja si aromë parfumi është nga aromat që qëndron më gjatë dhe nuk e humbet aromën e saj. Po ashtu ajo u shpreh se parfumi i saj i parë ishte pikërisht me aromën e vaniljes.
Alda Bogdani blogere, u shpreh se vanilja me xhinxher, portokall dhe limon mund të përdoret fare thjeshtë si një aromatizues natyral, në ambientet e shtëpisë. Një aromë e lehtë në balancë që mbush shtëpinë, por nëse e zjejmë këtë përzierje, mund ta konsumojmë edhe si çaj.
Hyreida Basha nutricioniste, u shpreh se përveç se vanilja është një element me shumë dobi për organizmin, po ashtu aroma e saj ka një efekt që të largon stresin dhe lodhjen, duke të zgjuar ndjenjën e kënaqësisë.
Të ftuarat e programit Livingroom u shprehën se baza e aromës së vaniljes nuk është aspak e mërzitshme, madje përkundrazi është një notë e ngrohtë, joshëse, një notë bazë që do ta gjeni në fund të një piramide aromatike./Hej.al