Emiriana Sako kryetarja e bashkisë së Durrësit ishte e ftuar në emisionin Livingroom nga Brunilda Lahe në Vizion Plus për të rrëfyer mbi punën, profesionin dhe pasionet e saj.
“Unë quhem Emirjana, por prindërit familja dhe më pas të gjithë më thërrasin Ani. Gjyshja ime ishte ajo që nisi të më thërriste kështu e para.
Që e vogël kam pasur një natyrë të tërhequr dhe natyra ime gjithmonë është parë si shumë serioze, por kjo edhe për shkak të detyrës time, e cila është shumë komplekse.
Rrethi im i miqësisë është i vjetër dhe shumë prej tyre i kam që prej fëmijërisë.
Në familje kam qenë fëmija i parë dhe më pas kam pasur dy vëllezër, por gjithmonë kam qenë e përkëdhelura prej tyre, më shumë se më e përgjegjshmja.
Kemi qenë një familje e madhe dhe kemi jetuar me gjyshërit pranë. Jam e lumtur për fëmijët e mi, të cilët po ashtu jetojnë me gjyshërit pranë dhe dashuria nuk ju ka munguar.
Arkitektura është një degë e vështirë, sepse kërkon shkencën dhe talentin bashkë. Kjo nisi nga dëshira ime për të vizatuar dhe kështu duhet të nisje një rrugëtim të gjatë për të kërkuar arkitekturën si një profesion.
Më tej kam vijuar me studime në Romë, në një qytet të madh, por edhe në nje vend që përballesh çdo ditë me arkitekturën. Kudo që shkon në Itali merr diçka nga qyteti ku jeton dhe pasurohesh së brendshmi.
Momenti kur unë mora drejtimin e qytetit të Durrësit ishte i vështirë, pasi Durrësi dilte nga situata e tërmetit, por më pas u godit nga një fatkeqsi që duhej të qëndronim mbyllur, siç ishte pandemia, në një moment që duhet të punonim shumë në terren. Megjithatë ia dolëm të sfidonim kohën për të realizuar detyrat tona si bashki.
Në përgjithësi njerëzit e kanë steriotipin që kreu i bashkisë duhet të jetë burrë. Kështu më ka ndodhur me një qytetar, cili erdhi për një problematikë dhe kërkoi kryetarin, duke mos e besuar që unë isha kryetarja e bashkisë.
Patjetër që për të bërë më shumë punë për qytetin dhe detyrën, koha është e vështirë të ndahet në mënyrë të barabartë me familjen dhe djemtë e mi janë ata që ju mungoj më tepër. Por, kam mirëkuptimin e tyre dhe mbështetjen e bashkëshortit për të vazhduar me këtë punë.
Pasionet e mia janë fotografia dhe leximi. Dëgjoj çdo lloj muzike dhe vetë puna përballë kompjuterit të bën që t’i të vazhdosh të dëgjosh atë se çfarë luhet.
Nuk bëhem kurioze të kërkoj për veten në internet. Mendimi i parë që ngrihem në mëngjes është: “kam shumë punë”.”, u shpreh Sako në Livingroom./Hej.al