Nga Roland Qafoku
Që i madhi Fan Noli vdiq beqar, kjo nuk është ndonjë histori e re. Por që një nga eruditët më të mëdhenj që ka nxjerr kombi shqiptar, të jetë përpjekur gjatë për të gjetur nuse dhe këtë nuk mundi ta arrinte, kjo përbën atë pjesë të panjohur të jetës private të këtij gjeniu. Faktet na kthejnë në kohë 93 vjet më parë, kur Noli ishte 26 vjeç dhe sapo themeloi Kishën dhe kishte si emergjencë martesën me një vajzë siç e donte ai. Një letër e arkivuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bukuresht dhe në Shqipëri, e shkruar nga Noli me dorën e tij na sjell pasazhe të kërkesës së tij për një bashkëshorte. Dhe për këtë iu është drejtuar Shoqërisë shqiptare “Bashkimi” në Bukuresht. Me një gjuhë elegante që vetëm ai diti ta përdorte në atë kohë, Noli kërkon doemos një grua shqiptare për të qënë priftëresha e tij e ardhshme. Po përse kërkonte Noli nuse?
Në letër ai tregon se arsyeja e parë ishte që duke qënë beqar armiqtë e shqiptarëve do të nisnin nga shpifjet dhe intrigat për të diskretituar figurën e tij. Por, e veçanta është se këtë grua Noli e kërkonte me doemos shqiptare. Nëse ajo do të ishte e huaj, mundësia më e madhe ishte të ishte ruse, pasi pagëzimin do tia bënet Episkopi rus. E për të shmangur të gjitha këto keqkuptime Noli e gjeti zgjidhjen tek kërkesa drejtuar bashkëatdhetarëve në Bukuresht.
Kushtet për nusen
Noli në fakt nuk ka shkruar thjesht një letër për të gjetur ca mblesë perfektë dhe kaq. Meshumë talent ai ka renditur dhe arsyet për një hap të tillë. Interesante është njëra prej tyre janë gojët e liga. Dhe në një nga paragrafet ai shkruan: “… armiqtë do të kenë të thonë: “Uh, po prift është ay? Po ay rent pas grave! Unë e pash një ditëzaj që…etj…”. Por mes të tjerave Noli rendit edhe kushtet se si e kërkon nusen. Edhe në këtë moment shkrihet talenti i tij i madh. “Do mos pyes se është e qytetëruar a e egërtë, e pasur a e varfër, e bukur a e shëmtuar, veç priftëreshë të doj të bëhet dhe të ket kurajë që të çajmë Atlantikun” shkruan ai teksa radhit një e nga një “kondiciet” siç e përdor ai fjalën “kushte”. Megjithatë edhe pse duket si pa shumë pretendime, Noli nxjerr në pah edhe një nga cilësitë e tij. “Mos ma zgjidhi shumë të egër se s’kam virtytnë të jem shtëpiakësor i egërsirave madje as aq të shëmtuar”, duke e komentuar këtë se “jam pakëz poet”.
Përshkrimi i vetvetes
Përshkrimi i vetvetes nuk ka vetëm vlerë për të mësuar tipin e të madhit Fan Nol. Mes portretit të tij Noli nuk harron sërish të shkrijë cilësitë me figurat letrare aq sa gati të duket se jemi në një nga krimet e tij dhe jo në një letër të thjeshtë. “Nuses nga ana ime do t’i thoni se natyra nuk më bëri të bukur si Adamin, por dua nga zotëria juaj ta bindni se jam i zoti t’ushqej një grua e ca më shumë një priftëreshë” shkruan ai mes të tjerave.
Përfundimi
Nuk dihet se çkanë bërë atdhetarët e Bukureshtit pas marrjes në dorë të kësaj letre. Nuk dihet gjithashtu se cilat vajza me kombësi shqiptare kanë qënë kandidatura për të qënë në krah të Nolit. Për këtë deri tani nuk ka fakte dhe letra të këtij lloji. Por vetëm një gjë është e sigurtë. Noli nuk mundi të gjejë kurrë një nuse e të kalonte jetën me të. Si një beqar i betuar, ai tërë jetën e shkriu veprën e tij në dobi të atdheut dhe kombit. Këtë e vërteton edhe fraza: “Ndihmën që ju kërkoj, nuk jua kërkoj për veten time, por për tërë Shqiptarët e Amerikës”. Dhe tërë historia e jetës së tij e vërtetoi më së miri.
Letra
I ndershmi Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” në Bukuresht
Pas shumë mejtimesh bashkë me direktor i “Kombit”, i dhamë fund, se më e mira udhë për të bërë propagandë këtu është udha e fesë meqënëse një nga ndalimet e mëdha për çështjen t’onë është fanatizma që ka mbiellur prifëtria, dhe kjo fanatizmë sikundër është mbiell prej priftërinjsh, gjithashtu duhet të ç’tarret e të ç’rrënjoset prej priftërinjsh, me ndryshim që këta priftërinj duhet të jenë shqiptarë ortodoksë. U mejtuam pra të themelojmë këtu në Boston një kishë Ortodokse Shqip me prift Shqiptar dhe me gjuhë meshimi Shqipen. Kjo gjë, në u bëftë, përveç tërbimit të armiqëve t’anë, do të ket edhe një rëndësi të madhe për përparimin e punës sonë këtu në Amerikë. Jemi shigur që me anën e Kishës do t’i bëjmë tër ato që mund t’i bëjmë tani.
Sa për priftin nuk u mejtuam shumë se është ay që ka nderë t’ju shkruajë. Shkaku që na shtrëngoj të mos e bëjmë porsa mejtuam është priftëresha e para, dhe e dyta që duhej ta mësoj Russhen dhe ashtu të më bëjë prift Episkopi Rus i Nju Jorkut. Po do të më thoni: mundni të mësoni pak Russhe dhe behi prift pa priftëreshë?
E lë mënjanë që s’di asnjë gjuhë sllavishte që të më ndihe për Russhen dhe duhet kohë shumë dhe nge dhe kohë më rehat, të cilat s’i kemi, po dhe këto të muntnja t’i kapërzenja, prapë ndalimi i priftëreshës do t’ishte mjaft që të më pengonte. Sepriftëresha një her po të jet e huaj Shqiptarët armiq dhe grekomanë do të nisin të thërresin e të shpifin: Ah një herë vate na mori një grua të udhëve dhe na e bëri priftëreshë.
Pa priftëreshë ca më mirë për mua se as ner ment s’e kam të martohem, por ca më keq për punën t’ime, se me qënë se jam i ri, prapë armiqtë do të kenë të thonë : “Uh, po prift është ay? Po ay rent pas grave! Unë pashë një ditëzaj që …….etj….”
Dhe kështu nevoja më shtrëngon të bëhem prift… me priftëreshë Shqiptare. Fundi është që mentohem të vijë në Rumani… dhe të bëhem prift aty. Tani mbetet një pik e errët, të cilën ju lutem ta ndritni me një letër pasi të mejtohi tërë pleqërija dhe tërë komiteti të cilit i ka shkruar Sotir Peçi.
1. A mund të bëj prift mua nje Episkop Rumun?
2. A mund të më gjeni aty një priftëreshë Shqiptare? Këtu duhet të shtoj se Rumanishten kam kurajo të mësoj gjer sa të vij aty po të më dërgoni një metodë freng-rimanisht ose rumun-frëngjisht….Sa për priftëreshën ju jap lirinë të ma zgjidhni juve pa kondicie. Do më pyes se është e qytetëruar a e egërtë, e pasur a e varfër, e bukur a e shmëtuar, veç priftëreshë të doj të bëhet dhe të ket mjaft kurajë që të çajmë bashkë Atlantikun. Duhet shtuar se do mos jetë aq e mirë për mua po të ma zgjidhni dhe shumë të egër se s’kam virtytne të jem shtëpiakësor i egërsirave, aq sa të varfër sa të mos ketë navllat e saj për n’Amerikë, as aq të shëmtuar sa të më bëj efekt emetiku se jam pakëz si poet, por me gjithë ato unë prap do t’a marr se më lipset dhe juve s’kini përveç të më gjeni një….
se është nevojë e madhe.
Nuses nga ana ime do t’i thoni se natyra nuk më bëri të bukur si Adamin, por dua nga zotëria juaj ta bindni se jam i zoti t’ushqej një grua dhe ca më shumë një priftëreshë. Më së fundi i thuaj se babai im s’është i varfër po të vij gjer atje sëra. Shumë ju lutem të përpiqi për këtë punë dhe të më përgjigji për së shpejti se atdhetarëve këtu u kemi dhën fjalën që do të behet kjo dhe e presin me gojë hapët dhe nuk dimë si t’i vëmë fre flagës së tyre. Më duket se kondiciet s’janë dhe aq të rë nda dhe pandeh se do të bëni ç’ju vjen nga dora që të sielim bashkë me dritë një nga ato punë, të cilat e kanë rëndësinë me vete dhe s’duhet as poet as orator që tu ngrerë vlerën.
Ndihmën që ju kërkoj, nuk jua kërkoj për veten time, por për tërë Shqiptarët e Amerikës. Unë nga ana ime bëra dhe bëj atë therore që mund. Nëqoftë nevoja ca më tutje për më shumë, do mos e kem për nder të mbeten prapa.
Mund të themi se kjo punë do mos ketë rëndësi të veçantë për Shqiptarët e Amerikës vetëm po për tërë Shqiptarët…Në e patsha fatnë të vij aty do i shkoqitim ca më mirë.
Pritni të falat e mia, munt desh Perëndia dhe mua
I juaji për jetë
Fan Noli, 1909./Hej.al