Opinioni publik ka mbetur i tronditur nga lajmi se një vajzë 3-vjeçare ndodhet në spitalin e Traumës me këmbën e thyer, për shkak të dhunës së ushtruar në një kopsht privat.
Edukatorja, e cila është nën hetim si e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’, ka deklaruar në polici se e ka goditur vajzën e mitur.
Emisioni “Jetë Shqiptare” arriti të komunikojë me bashkëshortin e edukatores.
Pyetjet e përsëritura për të sqaruar pozicionin dhe për të mbajtur një qëndrim rreth ngjarjes mbetën pa përgjigje nga ana e burrit.
“Faleminderit shumë. Mirupafshim,” qenë fjalët e bashkëshortit të edukatores.
Ngjarja u trajtua në ekranin e RTSH-së mes të ftuarve, psikologes Arbiola Halimi, nutricionistes Matina Çobo, e cila iu bashkua protestës së djeshme para kopshtit privat, dhe gazetares Anisa Ymeri.
Psikologia Halimi deklaroi se ngjarja është mjaft shokuese, ndërsa përmes dhunës fizike, u ndal edhe te dhuna psikologjike që personi i punësuar si edukatore, ushtron ndaj fëmijëve.