Spitalet në Pekin dhe Kinën veriore po përballen me një situatë alarmante, pas sëmundjes misterioze që prek fëmijët në rrugët e frymëmarrjes. Kjo sëmundje vjen një vit më vonë pasi bota u distancua nga rregullat e rrepta të Covid-19.
Kohët e pritjes për t’u vizituar nga mjekët, zgjat për orë të tëra, ku qindra pacientë janë në radhë në spitalet kryesore në të gjithë Kinën veriore, citon CNN. Një zyrtar në spitalin e fëmijëve të Pekinit deklaroi se fluksi është i lartë, ku numërohen në ditë mbi 7 mijë pacientë. Zyrtarët shëndetësorë në Pekin dhe qytete të tjera të mëdha në Kinën veriore kanë thënë se sëmundjet tipike sezonale, duke përfshirë gripin dhe virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), si dhe pneumoninë e mykoplazmës,një infeksion bakterial që zakonisht shkakton infeksion, ishin disa nga shkaktarët.
Situata në Kinë ngriti shqetësimin global pasi Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) i kërkoi Kinës të jepte më shumë informacion mbi sëmundjen misterioze. Megjithatë, pasi foli me zyrtarët kinezë të shëndetësisë, OBSH tha se të dhënat treguan një rritje të konsultimeve ambulatore dhe pranimeve në spital të fëmijëve për shkak të pneumonisë së mykoplazmës dhe sëmundjeve të zakonshme sezonale.
Agjencia shtoi se autoritetet kineze nuk kishin zbuluar ndonjë patogjen të pazakontë ose të ri ose paraqitje të pazakontë klinike. Ekspertët e jashtëm që monitorojnë situatën gjithashtu vunë në dukje se nuk kishte prova të një patogjeni të ri, por i kërkuan Kinës që të ndajë më shumë informacion rreth situatës me publikun./hej.al