Nga Lira Gjika
Të kërkosh të falur
Nëna insistonte me djalin e saj 4 vjeç që të kërkonte të falur për veprimin “e keq” që kishte kryer fëmija. Djali i vogël luante me këmbën e tij në tokë por nuk fliste. Nënës po i rritej shkalla e padurimit dhe si përfundim i tha të birit: Djalë i keq, nuk të kam xhan! Djali i vogël pa nënën me sy të trishtuar dhe vazhdoi të hesht. Nëna u largua duke folur nëpër dhëmbë. Pas pak fëmija filloi të grindej, reagimi i nënës ishte ngritja e zërit dhe më shumë. Ndërkohë, babai vjen në shtëpi dhe përballet me situatën “e nderë” në familje dhe të pyet të shoqen me takt se çfarë ka ndodhur midis nënës dhe djalit. Gruaja i tregoi të shoqit se djali ishte sjellë keq dhe nuk i kërkonte të falur. Djali duke parë qetësinë e babait, nga cepi i vet, tha me zë të lartë: As mami nuk më kërkoi të falur kur më shtyu! Kur të shtyva?! – reagon nëna.
Dje kur hymë në shtëpi, sapo u kthyem nga kopshti! – u përgjigj djali. Po unë e bëra pa dashje! – ja preu nëna. Po edhe unë pa dashje e bëra sot! -vazhdoi djali. Babai ndërhyri menjëherë: Qenka shumë e thjeshtë puna, kërkojini njeri tjetrit të falur dhe mendojë që ti mami i çunit tim duhet të fillosh e para meqenëse ti e ke bërë dje gabimin. Nëna, në fillim pati një ndjesi hezitimi por kur pa sytë e djalit të lagur nga lotët që ai mezi i mbante që të mos i rridhnin, ja ktheu të birit: Po ke shumë të drejtë, më fal që nuk isha e vëmendshme në veprimin tim! Mirë mami, të fal por edhe ti më fal mua. Dje kur më shtyve mu duk sikur ti nuk më do, prandaj isha sot ashtu i mërzitur dhe u solla keq. E ëma e pushtoi të birin dhe i përsëriti, më fal, më fal por une të kam shumë xhan, të dua shumë, se ti je djali im i veçantë dhe nuk ka tjetër si ty. Më fal që të kam mërzitur kaq shumë./Hej.al