Darkë dhe jo dosido… Në hapësirë, në restorant me yje Michelin. Kjo do të bëhet e mundur vitin e ardhshëm dhe për këtë po punon kompania franceze Zephalto.
Sipërmarrja e turizmit hapësinor, e themeluar nga ish-kontrolluesi i trafikut ajror Vincent Farret d’Astiès, aktualisht po shet ‘bileta të rezervimit paraprak’ për udhëtimet e ardhshme në një kapsulë nën presion, të quajtur Celeste, e bashkangjitur në një tullumbace stratosferike.
Kjo kapsulë do të ngjitet në një lartësi prej 25 kilometrash, duke i lejuar mysafirët të mrekullohen me hapësirën.
Një udhëtim në Celeste shkon rreth 131,100 dollarë.
Celeste premton të transportojë gjashtë pasagjerë dhe dy pilotë në lartësinë maksimale në vetëm 90 minuta, me një shpejtësi prej katër metrash në sekondë. Kapsula më pas do të qëndrojë mbi Tokë për tre orë dhe vizitorët do shijojnë ushqimin dhe verën franceze.
Zephalto, e themeluar në vitin 2016, nuk është e vetmja kompani që shpreson të transportojë pasagjerë në një tullumbace të bukur. Kompania Floridian Space Perspective aktualisht po bën rezervime për anijen e saj kozmike Neptun.