Nga Malvina Tare
Në 30 Dhjetor 2023 Berisha u vendos në arrest në shtëpie dhe e gjithë vëmendja mediatike ishte mbi këtë arrestim të liderit të opozitës, pas shumë e shumë tentativash për ta nxjerrë nga loja politike. U finalizua më në fund në 30 dhjetor dhe njerëzit madje e kishin humbur besimin për arrestimin e tij, duke parë ecejaket e avokatit të mbrojtjes në SPAK.
Ndërkohë që drama politike luhej në çdo ekran të medias shqiptare, nga krahu tjetër në një fshat atje tutje, në Vadardhë të Sukthit luhej drama e rëndë e jetës së një gruaje fshati me 4 fëmijë, që ishte damkosur me “njollën e turpit” nga fshati e bashkëshorti.
Sapo Berisha u fut brenda në apartament media e etur për ngjarje u turr të mësonte se ç’kishte ndodhur në 2 janar në këtë familje të Sukthit, duke pyetur e kërkuar çdo provë video e material që bënte me “faj” a “pa faj” Bedrie Lokën, për të cilën fillimisht u tha se u vëtëvra pas bullizimit në TikTok nga koleget e saj të punës.
Lajm pas lajmi, ky ishte titulli i parë me të cilin nisi viti i ri mediatik në vendin tonë. Lajmi se një grua u vetëflijua nga dhuna, abuzimi sistematik brenda asaj që quhet shtëpi.
Më pas akoma një tjetër rast i një 12-vjeçareje të përdhunuar në Pogradec u publikua gjerësisht dhe gazetarët e Tiranës nuk përtuan, me kamera dhe mikrofonë drejt një fshati, për të gjetur një grua plot me halle që nuk dinte ç’të thoshte për atë që i kishte ndodhur. Një grua e dhunuar, që i përdhunohej vajza. Një grua e copëtuar.
A kapet halli dhe e keqja e madhe e përdhunimit me zë dhe figurë?
Kë mbrojnë tani gjithë videot e dhunës së Bedrie Lokës që janë shpërndarë kudo në rrjet, pa asnjë lloj kontrolli? Se Bedrien, s’munden më.
Cili është lajmi në këto ngjarje? Që ka dhunë e përdhunë në familjet shqiptare? Që janë në kufijtë e mbijetesës si zonja në Pogradec, apo edhe nëse e kanë kaluar mbijetesën dhe e kanë të mbushur barkun me bukë, sërish janë në kufijtë e moralit familjar, në kufijtë e shtazores sa i takon sjelljes brenda familjes?
Nuk ka lajm të ri në pamjet e dhunës dhe kufijtë e shkelur të moralit. Këto pamje tmerri që shpërndahen në rrjet kanë përfitues vetëm rrjetin e klikueshmërisë, pasi prej tyre nuk përfiton shikuesi, e aq më pak i dhunuari, që përdorimi i viktimizimit në të cilën ka rënë pre, të kap kufijtë e anormales.
Si mund të zhvishet halli i rëndë i një gruaje përpara gjithë Shqipërisë? Për një lajm dite, e pa vrarë mendjen se për të është një hall jete.
Po pamjet e dhunës në familjen e një gruaje që u vetëflijua? U vetëflijua dhe donte t’i merrte me vete gjithë këto që po shfaqen në rrjete sociale .. media siguron pamje që duhet t’i takonin vetëm policisë dhe vazhdon shown.
Sa keq për këto gra, sa keq për të gjithë! /hej.al