Një briosh shtëpie dhe një filxhan me kafe apo çaj do të ishte zgjedhja ideale për një mëngjes të lehtë, të shijshëm për të nisur ditën me humor të mirë e pozitivitet. Brioshët sigurisht vijnë nga delikatesat e kuzhinës franceze e italiane por fama e shijes së tyre të mirë ka bërë që sot, ato të jenë ndër produktet më të preferuara në mbarë botën, sidomos për vaktin e mëngjesit.
Të shoqëruara me çaj, kafe apo lëngje të ndryshme frutash, të mbushur me çokollatë, reçel apo të thjeshtë, brioshët janë padyshim një nga mënyrat më të shijshme për të nisur mëngjesin.
Përbërësit
500 gr miell
100 gr sheqer
150 gr gjalpë
Një filxhan çaji kos natyral
3 të verdha vezësh
Një lugë e vogël me kanellë pluhur
Përgatitja
Si fillim hedhim në një tas të madh miellin, gjalpin dhe sheqerin. I kalojmë të gjitha në mikser derisa të jenë përzjerë mirë me njëra tjetrën.
Më pas shtojmë të verdhat e vezëve bashkë me kosin dhe kanellën dhe vijojmë t’i përzjejmë në mikser derisa brumi të jetë i njëtrajtshëm.
E hedhim brumin në një enë tjetër dhe e punojmë me dorë për disa minuta.
Më pas brumin e mbështjellin me një letër kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 30 minuta në frigorifer.
E nxjerrim nga frigoriferi dhe e hollojmë në formën e petës në një trashësi prej 2 mm.
Më pas, petën e presim në forma trekëndore. Në secilin prej trekëndëshat hedhim nga një lugë çokokrem apo reçel. I mbyllim në formë roleve duke shtypur me kujdes të dyja anët e brioshit.
I vendosim në tavë ku më parë kemi shtruar një letër pjekjeje.
Pasi i kemi vendosur të gjithë me radhë në tavë, brioshët i fusim në furrë të ngrohur në 180 gradë. I pjekim për 25 minuta, i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen. Sipas preferencës, para se t’i shërbejmë i spërkasim me pak sheqer pluhur sipër./hej.al