Nga Malvina Tare
Rrjeti zjeu për një deklaratë që bëri ish-banori i BigBrotherVip Klodian Duro në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj gruas së tij, për të cilën ishte dënuar disa vite më parë. Ai u shpreh me të njëjtat tone kërcënuese edhe ndaj banorëve, e më pas sot doli në një intervistë duke u shprehur se ishte ironizuar dhë “përdorur”. BigBrother është një lojë nervash dhe ne shqiptarëve nuk na mbajnë hiç të shkretat. kështu që ky spektakël ka arritur të na personifikojë, pasi ne këta jemi edhe në përditshmëri. Vip ose jo.
Ne zihemi me gruan në shtëpi dhe ndonjëherë ia fusim edhe një shpullë pa u menduar. Nëse jo në shtëpinë tonë, kjo skenë na ka ndodhur te fqinja, motra, kushurira, për të mos thënë edhe tek nëna.
Gjatë programit të së shtunës Ledjona, një tjetër banore e divorcuar me një fëmjë, u vendos publikisht përballë gjykimit si nënë, ndaj disa komenteve të ish-burrit të saj, i cili i kërkonte llogari për vajzën e tyre. Një burrë që kërkon komunikim me komente në Facebook, me gruan e tij që është brenda një formati i cili nuk lejon telefona celularë. Ky burrë po kërkon vëmendjen e gjithë publikut, duke shantazhuar ish-gruan me fëmijën e tyre. Një e drejtë e cila nëse rregulli do të funksiononte mund t’i kushtonte edhe kujdestarinë e fëmijës vetë Ledjonës. Në këtë situatë kemi një Klodian brenda, e një Klodian jashtë.
Ndërsa në nisje të show-ut të së shtunës në darkë Drini Zeqo sqaroi arsyen e largimit të tij të papritur dhe për herë të parë tregoi publikisht për motrën e tij, e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në shqipëri njerëzit vuajnë nga zemra, diabeti, kockat, sytë, veshët, a çfarëdo sëmundje. Ama, për shëndetin mendor, askush nuk guxon të flasë. Një i sëmur mendor humbet shumë nga respekti dhe fiton atë që ne e quajmë rëndom “gjynah”.
Ndërsa Drini foli ndryshe dhe e adresoi këtë sëmundje, si një sëmundje me jetën për vetë të sëmurin dhe ata që i gjenden pranë. Shëndeti mendor ose higjiena mendore është niveli i mirëqenies psikologjike dhe aftësia për të rregulluar emoncionet, që dukshëm shumë personave që na rrethojnë u mungon.
Egla qan për çdo situatë dhe kërkon hakmarrje, Roza herë pas here vë në rol disa karaktere të vetes. Njerëz që janë në presion të lojës apo ndoshta edhe në nevojë të psikologut.
Dhuna, divorci dhe shëndeti mendor na përplasen në fytyrë ngado që rrotullohemi në komunikim, marrëdhënie dhe biseda në të gjithë veprimtarinë tonë të çdo dite.
BigBrother, na nxorre zbuluar!
Gjithë traumat e fëmijërisë që po na paraqiten, si meshkuj të dhunshëm. Si divorce me grindje, që nuk përfundojnë kurrë. Dhe shëndeti mendor që mbetet gjithmonë drama më e madhe që përjeton shoqëria jonë në të gjitha stadet e saj, e cila nuk pranon kurim./hej.al