As Tirana, as disa prej kryeqendrave evropiane nuk e bindën Marjana Koçekun të niste karrierën e saj, pas diplomimit për shkenca politike. E lodhur nga zhurma dhe kaosi i qyteteve të mëdha evropiane, Marjana u kthye te “rrënjët e saj” te kulla në breg të Liqenit të Komanit, në hyrje të Lumit të Shalës.
Ne të gjithë e ndjekim në rrjetet sociale si “Neomalsorja”, malsorja e re e Instagramit që të bën për vete me pamjet mahnitëse mes Alpeve dhe kecave të agroturizmit.
Ajo vendosi t’i hapte dyert e kullës së trashëguar për turistët, për ta bërë të njohur historinë shekullore të kësaj zone, traditat, zakonet, ushqimet, që për të janë “magjike”. Ajo që ofrohet është shumë atraktive për të huajt. Kulla është ashtu siç është ndërtuar. Ajo flet me shumë pasion për secilin prej ushqimeve të kësaj zone dhe historinë që qëndron pas tyre.
Ajo mendon se Shqipëria ka një burim të pashtershëm natyror dhe njerëzor, që mjafton t’i kthesh pak dashuri për tokën dhe vendlindjen./hej.al